Policët protestojnë, paraqesin 14 kërkesa për Qeverinë
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese (NjSI) dhe policë nga sektorë tjera e sindikata e tyre, kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që t’i plotësohen kërkesat e tyre për shtesat e rrezikshmërisë, pagat jo të mjaftueshme, veshmbathjet jo të duhura dhe përkujdesje për mirëqenien e familjarëve të policisë.

Ata qëndruan para ndërtesës së Qeverisë, ku shtruan edhe kërkesa tjera të cilat presin që të plotësohen në një afat kohor sa më të shpejt.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri derisa ka listuar mbi 14 kërkesa të paplotësuara të Policisë së Kosovës, tha se kësaj radhe këto kërkesa duhet të trajtohen me prioritet.

Po ashtu, Zeqiri theksoi se rrezikshmëria e Policisë së Kosovës, duhet të jetë deri 50% dhe se duhet të formohet një komision për të kategorizuar shtesat e rrezikshmërisë.

Kryetari i Sindikatës, Zeqiri shtoi se janë të gatshëm për diskutim me qeverinë për përmbushjen e këtyre kërkesave.

Zeqiri i pyetur për lëndimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, tha se janë mbi 4700 raste të lëndimeve gjatë kryerjes së detyrës dhe një pjesë e tyre nuk kanë as sigurim shëndetësor.

Po ashtu, ai shtoi se vetëm në vitin 2023, janë 86 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë dhënë dorëheqje.

Ndërkaq, përfaqësuesit e NJSI, u takuan me Kurtin në mes të nëntorit, por nuk arritën marrëveshje për shkak se kreu i ekzekutivit, nuk pranoi të tërhiqet nga pozicioni i tij në raport me kërkesat e tyre.

Sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për NJSI-në, janë rreth 150 euro, ndërsa në kërkesë, policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë dhe të ketë shtesa për kushte specifike të punës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024