Sot në Podgoricë u mbajt Konferenca e Javës së CEFTA-s “eCEFTA: Klikim, Lidhje dhe Tregti”, e cila bashkoi më shumë se 300 pjesëmarrës me prani fizike dhe online.
Mbledhja tradicionale vjetore e zyrtarëve të lartë nga ekonomitë e CEFTA-s, Bashkimi Evropian dhe organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, së bashku me përfaqësues të biznesit, ofroi një rast për të eksploruar potencialin e tregtisë digjitale, duke u fokusuar në krijimin e një mjedisi tregtar më të perfeksionuar dhe të ndërlidhur.
Konferencën e Javës së CEFTA-s e hapi Nik Gjeloshaj, zëvendëskryeministër për Politikë Ekonomike dhe Ministër i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi. Ai me këtë rast tha se suksesi i CEFTA-s sot përfaqëson jo vetëm prosperitet ekonomik, por edhe një hap të fuqishëm drejt një të ardhme evropiane.
“Gjatë presidencës së CEFTA-s, Mali i Zi është përpjekur të përmirësojë funksionimin e mekanizmave të CEFTA-s, të promovojë dialogun, të nxisë interesat e përbashkëta dhe të lehtësojë bashkëpunimin tregtar, çka në fund të fundit kontribuon në promovimin e rritjes dhe krijimin e një perspektive të qëndrueshme për të gjithë qytetarët në Ballkanin Perëndimor. Bashkëpunimi me CEFTA-n nuk sjell vetëm forcim të ekonomisë rajonale, por edhe shërben si përgatitje për integrimin e ardhshëm në një kontekst më të gjerë evropian. Mali i Zi është plotësisht i përkushtuar ndaj përmirësimit të bashkëpunimit rajonal përmes zbatimit të Planit të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal dhe CEFTA 2006, të dyja instrumente të rëndësishme për përshpejtimin e konvergjencës ekonomike me BE-në të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Andaj, së bashku me partnerët tanë të BE-së, do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e tregut tonë rajonal, adresimin e sfidave dhe sigurimin që CEFTA të bëhet një instrument edhe më efektiv për bashkëpunim dhe zhvillim”, tha Gjeloshaj.
“Edhe pse ka pasur hapa pozitivë që kemi bërë, ka ende shumë punë për të bërë. Zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe mobilitetit është me rëndësi kyçe dhe në këtë fushë kemi nënshkruar një numër të madh të marrëveshjeve. Jemi veçanërisht të fokusuar në dy qasje – të ofrojmë infrastrukturë digjitale në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi për shërbime më të mira. Në të njëjtën kohë, jemi duke punuar për zhvillimin e shkathtësive digjitale sepse, sipas hulumtimeve, vetëm nëntë për qind e qytetarëve e kuptojnë në nivel bazik se çka janë shkathtësitë digjitale. Jam e bindur se puna në këto dhe fusha të tjera do të sjellë një perspektivë të re për Ballkanin Perëndimor dhe integrim më të shpejtë në BE”, tha Kastrati.
Presidenti i Bordit të Forumit të Investimeve të gjashtë Odave të Ballkanit Perëndimor (WB6 CIF), Lulzim Rafuna deklaroi se tregu i përbashkët është një vizion që sjell një të ardhme më të mirë.
Marrë parasysh Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor nga Komisioni Evropian, Gert Jan Koopmann, drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian, theksoi se puna e ndërmarrë në kuadër të Tregut të Përbashkët Rajonal, puna e udhëhequr nga BE-ja dhe CEFTA, formon themelin për dhënien e qasjes në tregun e vetëm të BE-së.
“Integrimi ekonomik brenda rajonit bazohet në rregullat dhe standardet e BE-së, dhe përafrimi me zbatimin e acquis të BE-së është kushti esencial për një integrim më të ngushtë në tregun e vetëm të BE-së. Kjo është arsyeja pse shtatë veprimet prioritare të përcaktuara në Planin tonë të Rritjes fokusohen shumë në punën që po kryeni: përparimi në tregtinë elektronike, shërbimet e dorëzimit të pakove dhe gjeo-bllokimi, për të përmendur vetëm tri fusha, do të hapin derën për qasje në tregun e vetëm”, tha Koopmann.
“Konfirmimi përfundimtar i rëndësisë së punës së CEFTA-s erdhi nga Agjenda e Re e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, e cila e vlerëson CEFTA-n si një mekanizëm kyç për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, ku digjitalizimi luan një rol vendimtar dhe zë një vend të rëndësishëm”, tha Gaçeviq.
Ajo shtoi se presidenca e Malit të Zi përfundon me 9 politika të dakorduara që kanë kapacitet jo vetëm për të revolucionarizuar ekonomitë, por edhe për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe pasuruar jetën e përditshme të qytetarëve.
Drejtori i Sekretariatit të Përhershëm të Komunitetit të Transportit, Matej Zakonjsek tha se digjitalizimi luan rol veçanërisht të rëndësishëm në fushën e transportit.
“Po punohet për digjitalizimin e të gjithë dokumentacionit që lidhet me të gjitha modalitetet e transportit. Këtë po e bëjmë në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe, sipas studimeve që kemi bërë, digjitalizimi i plotë mund të na sjellë kursime prej 163 milionë eurosh. Gjatë gjithë këtij procesi, nuk duhet të harrojmë se zhvillimi i transportit dhe digjitalizimi duhet të ndodhin paralelisht dhe është vendimtare që të udhëhiqemi nga ‘energjia digjitale’. Kjo, së bashku me gjithçka tjetër që bëjmë në zhvillimin e komunitetit të transportit, do të na sjellë kufijtë më të sigurt, për çka u detyrohemi qytetarëve tanë”, tha Zakonjsek.
Përveç gamës së gjerë të temave që u trajtuan, eventi shërbeu edhe si një platformë për Malin e Zi për t’ia dorëzuar Kryesimin e CEFTA-s Serbisë, e cila do ta marrë këtë rol gjatë gjithë vitit 2024.
Konferenca e Javës së CEFTA-s 2023 u organizua bashkërisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik e Malit të Zi dhe Sekretariati i CEFTA-s, me mbështetjen e Odës Ekonomike të Malit të Zi.