Rama: Sot shpalosëm ambicien për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë që nisëm para 10 vjetësh
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalimin e tij në Kongresin e Partisë Socialiste në Tiranë, duke krahasuar Shqipërinë e 10 vjetëve më parë dhe sesi është sot.

Rama tha se sot në Kongres është shpalosur ambicia për të ngritur Shqipërinë në majën e lartë që u nis 10 vite më parë, teksa shtoi se në vitin 2013 vendi ishte zhytur në borxhe dhe nuk do kishte mund dot të përballonte pandeminë, tërmetin dhe inflacionin e luftës.

“Sot për të shpalosur ambicien në vijim të një përpjekje të përbashkët për ta ngjitur Shqipërinë në majën e lartë drejt të cilës u nisëm 10 vite më parë. Morëm në kurriz një vend të zhytur në borxhe, varfëri, krim, të organizuar dhe krim ordiner të shtrirë në të gjithë zonat e banuara të vendit, dhe në një kohë që askush se merrte seriozisht emrin Shqipëri”, tha Rama.

Ai ka thënë se Shqipëria krahasuar me dhjetë vjet më parë sot çmohet botërisht si kurrë më parë për progresin e arritur.

“Ne kemi punuar shumë në çdo front dhe kemi luftuar me mijëra plagë të mëdha e të vogël të trashëguara dhe me plagët e jashtëzakonshme të fatkeqësive të reja që na sprovuan njëra pas tjetrës. Tërmet shkatërrimtar, pandemi, krizë e rëndë botërore të çmimit të energjisë, të cilat po ta kishin gjetur Shqipërinë në gjunjë siç ishte 10 vjet më parë do ta kishin çuar në një humnerë të paimagjinueshme, pa asnjë ekzagjerim, të ngjashme me humnerën e vitit 1997. Vetëm falë Partisë Socialiste, të tri furtunat na gjetën të gatshëm për të mbrojtur njerëzit e një shteti që ende nuk plotëson shumë gjëra qytetarëve të tij, por edhe nuk i lë vetëm kurrë në momentet e vështirësive të mëdha. Parafytyroni sikur tërmeti të na kishte gjetur me borxhe mbytëse si në vitin 2013. Imagjino si do të na kishte gjetur pandemia me shërbimin shëndetësor të vitit 2013. Merreni me mend sikur egërsia e luftës që ngriti çmimet e energjisë në qiell, të na kishte gjetur me gjysmën e popullit që nuk paguante dritat dhe me kompaninë e shpërndarjes që ishte në prag të shkatërrimit të përfundimtar, apo inflacioni i luftës të na kishte gjetur me arkën e zbrazura të vitit 2013. Sot, Shqipëria çmohet botërisht si kurrë më parë për përparimet e dukshme. Pret 10 milionë turistë, ka një monedhë kombëtare më të fortë se asnjëherë dhe ulet në çdo tryezë të komunitetit ndërkombëtar, duke dhënë respekt dhe duke marrë,” tha Rama. /tch

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024