Shqipëria thyen parashikimet, mbi 9 milionë e gjysmë turistë të huaj deri në nëntor
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro deklaroi sot se “nga janari deri në 30 nëntor Shqipërinë e vizituan 9.53 milionë turistë të huaj”.

Në fjalën e saj në panelin “Prioritetet zhvillimore: Infrastruktura, Energjia, Financat, Turizmi, Bujqësia dhe Kultura” në Kongresin e jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste, gjatë prezantimit të objektivave të lidhura me turizmin Kumbaro tha se “në strategjinë që kishim për turizmin kishim parashikuar 10 milionë për 2023. Ama kemi shanse të kapim 10 milionë turistë”.

“Krahasuar me periudhën janar-nëntor të vitit 2022, është shënuar një rritje me 33%”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “muaji nëntor ka shënuar një shifër prej 547221 hyrjesh të vizitorëve të huaj, një rritje e ndjeshme (53%) më shumë krahasuar me nëntorin e një viti më parë çka konfirmon trendet e shtuara për ta vizituar Shqipërinë në të gjithë muajt e vitit, një tregues pozitiv i rritjes së turizmit gjithëvjetor”.

“Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur përgatitjet për pjesëmarrjen e Shqipërisë në panairet ndërkombëtare Fitur- Madrid dhe ITB-Berlin në të cilin Shqipëria do të jetë vendi i nderit i këtij për vitin 2025 me një program promovues njëvjeçar”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro bëri të ditur se “në prill Tirana do të mirëpresë 40 ministra të turizmit të të gjithë kontinentit evropian, sepse Organizata Botërore e Turizmit ka vendosur ta mbajë këtë ngjarje në Tiranën tonë”.

Më tej ministrja Kumbaro tha se “aplikacioni TEA ka pasur me mijëra shkarkime në telefonat e të huajve dhe shqiptarëve. Për të parën herë do ndërtojmë një sistem të dedikuar për statistikat e turizmit për të qenë në nivel me partnerët tanë botërorë”.

“Në 2024 bregdeti do të jetë sërish me flamurin e pastërtisë në 8 bashki. Nuk do ta ndalim përpjekjen tonë për Shqipërinë e pastër, kemi fituar disa beteja, por jo luftën akoma”, tha Kumbaro.

Ministrja Kumbaro informoi se “do të fillojmë projektin për menaxhim e integruar të mbetjeve në qarkun e Kukësit dhe Gjirokastrës me një projekt IPA të BE-së prej 11 milionë euro. Do të futemi së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në një projekt me Bankën Botërore për të pastruar të gjithë bashkitë që derdhin ujërat e zeza në Vjosë”.

“Vjosa është mbretëresha e lumenjve të Evropës është park kombëtar. Sapo kemi zgjedhur edhe projektin fanatastik për qendrën e vizitorëve”, tha Kumbaro.

Kumbaro e mbylli fjalën e saj duke theksuar se “ viti 2024 do të jetë viti i pyjeve”. /atsh/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024