Kufizimi i komunikimeve të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, Tromp: Shkelje e të drejtave të njeriut
Tema
Lexohet për: 7 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit janë ankuar se këta të tre nuk kanë komunikuar me familjarët e tyre edhe pas vendimit të ri të Speciales ku u lejohen bisedat telefonike. Një gjë e tillë po kundërshtohet nga Gjykata Speciale, ku për KosovaPress thuhet se këto telefonata janë të mundshme dhe nëse duan të akuzuarit mund të kërkojnë një gjë të tillë. Nevenka Tromp, e cila punoi për shumë vjet në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavi deklaron se kufizimi i të drejtës për komunikim duhet të jetë shumë i bazuar. Sipas saj, me vendimin e fundit “janë braktisur të drejtat e njeriut”. 

Ditë më parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbrojtësit e ish-krerëve të UÇK-së u ankuan para trupit gjykues se kërkesat e tyre për telefonata po refuzohen.

Nga Gjykata Speciale i kanë thënë KosovaPress-it se telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme.

“Çështja e telefonatave me familjet e tre të akuzuarve u diskutua në seancën e djeshme ku u shpjegua se, ndryshe nga sa pretenduan disa, telefonatat me familjarë kanë qenë të mundshme. Sipas transkriptit, kryetari i trupit gjykues shpjegoi se, ‘sa i takon telefonatave nga familja ato mund të kryhen, por do të monitorohen derisa urdhri i ri të zbatohet plotësisht’. Ai theksoi, ‘pyeta dje, dhe Administratorja tha thjesht të bëhet kërkesa dhe për aq kohë sa është adekuate ata mund ta lejojnë atë’. Më pas gjatë seancës, kryetari i trupit gjykues tha se, ‘sa i përket z. Selimi, ai ka kërkuar në mënyrë të rregullt telefonata me familjen e tij dhe se, që kur hyri në fuqi urdhri i përkohshëm, ai ka pasur 11 telefonata të tilla. Pra, ato po pranohen. Sa i përket z. Thaçi dhe z. Veseli, nuk ka pasur absolutisht asnjë kërkesë për telefonata familjare prej tyre. Dhe ju të gjithë jeni ngritur dhe keni thënë se keni bërë kërkesa, dhe kjo është -- ju duhet të dini nëse kjo është e vërtetë apo jo. Ne nuk kemi nevojë të ulemi në sallën e gjyqit dhe të marrim informacion nga ju se diçka nuk ka ndodhur kur në fakt ka ndodhur, ose anasjelltas. Është fare e qartë se ata nuk i kanë kërkuar – në asnjë mënyrë, Administratores – telefonatë familjare. Nëse duan, ata mund ta bëjnë këtë. Do të monitorohet derisa të zbatohet plotësisht, gjë që duhet të bëhet së shpejti. Por është pak shqetësuese që ky lloj informacioni, që është i gabuar, është thjesht i gabuar, të dalë në sallën e gjyqit, në procesverba’”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Ligjëruesja në Universitetin e Amsterdamit, Nevenka Tromp deklaron për KosovaPress se Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme për të drejtën e komunikimit normal familjar.

“Po. Pra, shkelja e kësaj të drejte njerëzore. Dhe kjo e drejtë njerëzore ndoshta do të ishte gjë e mirë të thuhej... Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut është shumë e zëshme dhe shumë e qartë kur bëhet fjalë për sigurimin e komunikimit, dhe të drejtën për të komunikuar dhe të drejtën për të pasur komunikim normal familjar dhe privat, dhe çdo kufizim i kësaj duhet të jetë shumë i bazuar. Dhe nëse kjo tani bëhet në bazë të disa kërcënimeve të ardhshme dhe të mundshme të një dëshmitari nuk është mjaft e mirë. Sepse asnjë shkelje e qartë nuk është përcaktuar nga trupi gjykues dhe megjithatë të paraburgosurve u janë mohuar të drejtat që konsiderohen dhe mbrohen nga konventa evropiane për të drejtat e njeriut. Pra, kjo gjykatë mund të gjendej në një vështirësi të madhe se sa lehtë e braktisën këtë të drejtë për të akuzuarit dhe për çfarë? Ajo që në fakt e ka tejkaluar atë, ajo që ka mbizotëruar janë disa çështje të mundshme të dëshmitarëve, të cilat nuk janë përcaktuar në rrugë, janë vetëm disa insinuata, sigurisht etj. Pra, kjo çështje nuk ka të bëjë vetëm me tre nga këta të pandehurit, por këto çështje do të kenë të bëjnë me gjithë komunitetin ligjor dhe komunitetin e aktivistëve të të drejtave të njeriut, sepse ne nuk duam që këto të drejta të braktisen dhe aq lehtë sa duket, ato janë braktisur me këtë vendim të fundit”, deklaron ajo për KosovaPress.

Autorja e librit “Gjykimi i papërfunduar i Millosheviqit” i konsideron zhvillime interesante ato të ditëve të fundit, kur paraprakisht trupi gjykues urdhëroi kufizimin e përkohshëm të kontakteve për Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Me këtë vendim, ish-krerëve të UÇK-së u lejoheshin vizitat vetëm për ekipin e mbrojtjes.

“Ajo që shohim këtu, është se, për shembull, në nivelin e një mase që trupi gjykues solli këtë vendim, është se përveç vizitave private dhe vizitave konsullore që të dyja nuk janë të privilegjuara, d.m.th., ju e dini, këto nuk bien nën komunikimin e privilegjuar siç ka çdo i pandehur me avokatët e tij/saj. Ky është një kufizim i vizitave të tjera jo të privilegjuara në pesë në një muaj. Dhe interesant është se ajo që u përmend si arsye, jo se prokuroria kishte të drejtë, dhe se këta të akuzuar, këta tre të akuzuar bënë diçka të gabuar, por në thelb thanë se prokuroria kërkoi edhe vizita monitoruese nga monitoruesit shqipfolës dhe ata thanë se ne nuk kemi, e dini, regjistër, dhe qendra e paraburgimit nuk mund të sigurojë personel për një punë kaq intensive. Në fakt po themi se pesë [vizitat] në muaj janë të menaxhueshme. Vendim kaq interesant sepse nuk ka të bëjë me atë nëse të pandehurit kanë të drejtë të kenë më shumë vizita, por në thelb thotë, për shkak të burimeve të kufizuara, ne duhet ta kufizojmë atë në pesë [vizita], gjë që është përsëri shumë e diskutueshme kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut dhe trajtimin e të akuzuarit, siç sigurohet dhe të parashihet në Kontekstin Evropian të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përgjithësisht”, vijoi ajo për KosovaPress.

Së fundmi, trupi gjykues ka marrë vendim në lidhje me komunikimet dhe vizitat e krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit. Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorisë për kufizimin e vizitave dhe komunikimet, megjithatë vizitat personale do t’i nënshtrohen miratimit paraprak të sekretarit.

Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka filluar më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.

Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024