LDK bojkoton seancën për votimin e faljes së tatimit në pronë në kryeqytet
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Në seancën e  jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, nga shefi i asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, u propozua që sot të merret vendimi pro faljes së tatimit në pronë në vlerë 100 euro. Grupi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka bojkotuar seancën, për çka mori kritika nga përfaqësuesit e partive tjera të pranishme. Në këtë seancë nuk është i pranishëm as kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Ndërsa, pjesë e kësaj seancë të jashtëzakonshme janë asamblistët e PDK-së, LVV-së, AAK-së dhe AKR-së, të cilët patën replika të vazhdueshme ndaj njëri-tjetrit lidhur me vendimin për faljen e tatimit në pronë për qytetarët për vitin 2023.

Shefi i asamblistëve nga LVV, Gëzim Sveçla derisa lexoi propozimin për faljen e tatimit në pronë, tha se një gjë e tillë vlen për të gjithë tatimpaguesit dhe se shuma për faljen e tatimit në pronën e paluajtshme do të jetë jo më shumë se 100 euro.

Sveçla potencoi se në rast se tatimpaguesit kanë paguar faturën e tatimit për pronën e paluajtshme për 2023, shuma  e falur të llogaritet si paradhënie për vitin pasues.

Lidhur me këtë propozim, foli asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës, Leotrim Retkoceri, i cili tha se nuk do të miratohen propozimet që nuk kanë për qëllim mbrojtjen e interesit publik, derisa shtoi se janë të gatshëm të bëjnë propozime për mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e vlerës enorme të tatimit në pronë.

Ndërkaq, replikat mes Retkocerit dhe Sveçlës kanë vazhduar, derisa është diskutuar nëse ligji për faljen  tatimit në pronë do të duhej të vlente vetëm për këtë vit, apo mund të vazhdohet edhe për më tutje.

Ndërsa, përfaqësuesi nga grupi i asamblistëve të AAK-së, Bahri Gashi tha se përkrah propozimin për faljen në pronë të 100 eurove, pasi sipas tij se ky propozim është një ndihmesë për qytetarët e Prishtinës.

Edhe përfaqësuesi i grupit të AKR-së, Gëzim Mhemeti, u shpreh pro faljes së tatimit në pronë, teksa kritikoi grupin e LDK-së për bojkotim të seancës.

Po ashtu, edhe Endrit Zabërxha nga Nisma tha se janë pro faljes se tatimit në pronë në vlerë prej 100 eurove.

Ndërkaq, drejtoresha e Financave, Valbona Makolli, tha se nëse merret vendimi pro faljes së tatimit në pronë, komunës do t’i kushtojnë mbi 9 milionë euro humbje për vitin 2024.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës javë më parë vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Rritja e faturave të tatimit në pronë ka ndodhur pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024