Dokumentimi i krimeve të luftës, Kurti tregon rrezikun që po i kanoset vendit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Është mbajtur takimi i parë zyrtar i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. I njëjti u tha se qëllim primar do të ketë ballafaqimin me të kaluarën dhe verifikimin, dokumentimin, arkivimin dhe hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se paqja kërkon drejtësi dhe rehabilitim. Sipas tij, në Kosovë ende nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja.

“Qëllimi i të gjithë neve është i përbashkët, krijimi i kujtesës kolektive e cila nuk do të na shërbejë vetëm neve, por të gjitha gjeneratave që do të vijnë pas nesh. Historia është e mbushur me mësime të dhimbshme, por mbase pjesa më e rëndësishme për t’u mbajtur në mend është se paqja kërkon drejtësi por edhe rehabilitim. Në Kosovë nuk ka ndodhur asnjëra dhe viktimat e luftës i meritojnë që të dyja”, tha Kurti.

Në anën tjetër, drejtori i Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemi, tregoi objektivat kryesore për adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Ai tha se ka arritur marrëveshje edhe me Agjencinë Shtetërore të Arkivave për thellim të bashkëpunimit dhe për arkivimin digjital.

Megjithatë, kryeministri Albin Kurti tha se do të jetë e vështirë për dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, pasi, sipas tij, njerëzit janë të lodhur, viktimat kanë humbur besimin në sistem dhe se gjeneratat po vdesin përditë dhe kështu po humbet kujtesa parësore e luftës.

Pas fjalimeve kryesore, ky takim vazhdoi i mbyllur për medie, ku të pranishëm ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe përfaqësues të tjerë.

Kryeministri Albin Kurti së fundmi e ka emëruar drejtor të Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, Atdhe Hetemin./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024