Miq dhe familjarë, homazhe në nder të aktorit të madh, Mirush Kabashi
Kulturë
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

I është dhënë sot lamtumira e fundit mjeshtrit të skenës Mirush Kabashi.

Në homazhet e mbajtura paraditen e së mërkurës në Muzeun Historik Kombëtar familjarë, miq, artistë, kolegë e politikanë thanë fjalën dhe nderimin e fundit për “Sokratin” shqiptar.

Sipas tyre, Mirush Kabashi nuk do të shuhet kurrë, pasi ai është përjetësuar në trashëgiminë  e pasur artistike.

“Në ’97 ne nuk dinim ku ishim. Ai thirri regjisorin Haxhi Rama dhe kishte përgatitur nja 10-15 poezi. Ata pastaj i kishin gjetur kohën, ishte mjeshtër. Ngushëlloj Lolën, gocat. Shpejt iku, gjynah”, tha aktori i mirënjohur Muharrem Hoxha.

“Mirush Kabashi ishte një artist dhe një shok me një vizion të gjerë për artin. Teatri që ai bënte kishte brenda edhe muzikalitetin dhe shijen për tinguillin e bukur që ilustronte”, tha artisti Zhani Ciko.

Ndahet nga jeta aktori i njohur, Mirush Kabashi - KosovaPress

“I qetë, qofsh i lumtur në parajsë miku im i dashur”, tha aktori Luftar Paja.

“Humbëm vërtet një mjeshtër të fjalës, një njeri në nivelet më të larta të interpretimit”, tha shkrimtari Ylljet Aliçka.

“U largua si Sokrati i kësaj kohe. Me apologjinë e Sokratit shënoi kulmin e tij në skenën shqiptare, por edhe atë ndërkombëtare,“ u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.

Mirush Kabashi la pas bashkëshorten, dy vajzat, dhe mbeti në zemrat e shumë shqiptarëve si aktori i humorit, por edhe si një drithërues zemrash nëpërmjet interpretimeve teatrale apo poezisë shqip.

“Për të ishte jeta e tij. Ai edhe në shtëpi ishte gjatë gjithë kohës duke përsëritur tekste. Herë shkëputej, na dedikonte kohë, ishte aty për ne. Me maminë ka qenë gjithmonë afër. Nuk ishte njeriu kafeneve, as i lokaleve. Ishte njeriu i fjalëve të pakta”, u shpreh e bija Mendi Kabashi, raporton Top Channel.

Aktori i mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi, vdiq më 5 dhjetor në moshën 75-vjeçare.

Kabashi ka qenë aktor i rreth 100 roleve, në teatër, filma, dhe shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024