Shqipëri, miratohet Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare 2023-2028
Rajoni
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Këshilli i Ministrave miratoi sot Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare 2023-2028.

Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino në një deklaratë për mediat, pas mbledhjes së qeverisë bëri të ditur se kjo strategji synon të pasqyrojë në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse sfidat dhe kërcënimet kryesore për sigurinë kombëtare të vendit tonë.

“Strategjia synon të pasqyrojë sfidat dhe kërcënimet kryesore për Sigurinë Kombëtare të vendit tonë, si edhe përgjigjet institucionale ndaj tyre në harkun kohor 2023-2028. Ky dokument i rëndësishëm strategjik pason atë të vitit 2014, i cili, për vetë zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit, nuk i përgjigjet më sfidave të sigurisë me të cilat përballët aktualisht vendi ynë”, theksoi Fino.

Ajo deklaroi se tipar themelor i dokumentit të miratuar sot, është pasqyrimi i qartë i përkatësisë politike ndërkombëtare të vendit tonë, si anëtar i NATO-s dhe kandidat i BE-së, si dhe orientimi i qartë drejt veprimit në përputhje me analizën që i është bërë mjedisit strategjik të sigurisë, në nivel global, rajonal dhe kombëtar

Sipas saj, kjo qasje pasqyrohet në vendosjen e 19 “Domosdoshmërive Strategjike”, të cilat do të orientojnë veprimtarinë e institucioneve shtetërore, ndërkohë që zbatimi i këtyre domosdoshmërive është me rëndësi themelore për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në të tre nivelet dhe në harkun kohor 2023-2028.

“Hartimi i dokumentit të ri është bërë duke pasur në konsideratë influencën e faktorëve të cilët pasqyrojnë natyrën në zhvillim të kërcënimeve të sigurisë në ditët e sotme. Natyrshëm, në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare pasqyrohen zhvillimet dinamike ndërkombëtare të cilat lidhen kryesisht me efektet shumëdimensionalë të agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe fakti që situata aktuale e sigurisë ndërkombëtare ka krijuar një akumulim sfidash dhe kërcënimesh të cilat shtrihen nga dimensioni klasik i riaktualizimit të mbrojtjes ushtarake, terrorizmi, cenimi i demokracisë në shkallë globale, përdorimi dëmprurës i teknologjive në zhvillim, siguria ushqimore, e deri tek efektet e ndryshimeve klimatike”, u shpreh zëvendësministrja.

Si të tilla, vijoi Fino, këto kërcënime shumëdimensionale sjellin me vete një pa parashikueshmëri të lartë, si dhe vështirësi objektive për përballimin e tyre efektiv në nivel thjesht kombëtar.

“Hartimi i strategjisë është bazuar mbi një proces bashkëpunimi ndërinstitucional, aktiv dhe gjithëpërfshirës si dhe ka pasur kontributin e partnerit tonë strategjik. Gjatë këtij procesi janë analizuar me hollësi të gjithë elementët përbërës të sigurisë së Republikës së Shqipërisë. Në këtë proces të rëndësishëm është marrë parasysh dimensioni i avantazheve krahasuese të RSH-së, dobësive të saj institucionale, mundësive që ofrohen vendit nga mjedisi strategjik aktual dhe rreziqeve që i kanosen atij, duke i vendosur ato në një projeksion dhjetëvjeçar, sa parashikohet të jetë jetëgjatësia e vetë strategjisë”, deklaroi Fino.

Me aprovimin përfundimtar të dokumentit të Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare, theksoi Fino, vendi ynë ka një dokument strategjik bashkëkohor i cili do të shërbejë për të përcaktuar përgjigjet institucionale të Republikës së Shqipërisë ndaj kërcënimeve për sigurinë e saj kombëtare në nivelet globale, rajonale dhe kombëtare, në harkun kohor 2023-2028. /ATSH

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024