Osmani paralajmëron takim me opozitën për asociacionin: Duhet të eliminohen disa paqartësi
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar një takim me partitë opozitare në lidhje me draft-statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ajo tha se pas dorëzimit të draftit edhe te partitë opozitare, do t'i thërrasë të njëjtat në një takim për t'i marrë shqetësimet e tyre sa i përket draftit të dorëzuar nga euro-amerikanët, por edhe të diskutojnë për tema të tjera të interesit nacional.

Duke folur për adresimin e shqetësimeve të institucioneve për draft-statutin e asociacionit, Osmani tha se ka pasur takime me miqtë dhe aleatët për t’i nënvizuar se cilat pjesë të draftit janë të domosdoshme të sqarohen, në mënyrë që mos të krijohen probleme në zbatimin praktik të tij.

Ajo shtoi se do të dorëzojë edhe komente në momentin që ky dokument shkon në Gjykatën Kushtetuese për t’i eliminuar të gjitha paqartësitë e tij.

Sa i përket nisjes së peticionit për largimin e kryetarëve të katër komunave veriore, Osmani tha se ende nuk ka asnjë informatë zyrtare.

Në anën tjetër, presidentja Osmani tha se janë duke bërë të gjitha përgatitjet me institucionet e sigurisë dhe në bashkëpunim edhe me aleatët për eliminimin e çdo tentative për tensione të reja në veri, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, më 17 dhjetor.

Ajo përsëriti qëndrimin se Serbia nuk ka respektuar kriteret ndërkombëtare në kërkesën adresuar OSBE-së për organizmin e zgjedhjeve edhe në Kosovë.

Këto komente Osmani i bëri pas pjesëmarrjes në konferencën për Integritetin e Informacionit të organizuar nga NDI. /KosovaPress/

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Draft-statuti i Asociacionit, Osmani paralajmëron takim me opozitën - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024