FSHF përzgjedh kampin bazë të Shqipërisë në Gjermani (FOTO)
Sport
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) e ka përzgjedhur kampin bazë ku do të akomodohet Kombëtarja e Shqipërisë gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për ndeshjet në Kampionatin Evropian Euro 2024.

FSHF bën me dije se qendra ku do të qëndrojë kombëtarja kuqezi gjatë finaleve të Euro 2024 quhet SportCentrum Kaiserau, raporton KosovaPress.

SportCentrum Kaiserau njihet si njëri nga komplekset më të mira në Gjermani, për ekipe sportive në afërsi të Dortmundit.

“Qendra stërvitore është e specializuar për grumbullime dhe faza përgatitore të skuadrave dhe ka eksperiencë të pasur, pasi aty janë grumbulluar për faza përgatitore apo për turne në të kaluarën ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si FC Bajern Mynih, Real Madrid, FC Liverpul, FC Porto, Borusia Dortmund, Shalke 04, Valencia, Atletik Bilbao, Udinese, Legia Varshavë, Borusia Mënshengladbah, Verder Bremen, RB Lajpcig, Eintraht Frankfurt, Volfsburg, Union Berlin, Fortuna Dyseldorf, Roda Kerkrade, Standard Liezh, Los Anxheles Galaksi, SC Paderborn, Shtutgart, Hamburger, Bohum, Arminia Bielefeld dhe Dinamo Dresden.

Bëhet fjalë për një qendër ekselence sportive që ofron të gjitha kushtet e duhura, duke përmbushur kërkesat e stafit teknik. Trajneri Silvinjo dhe stafi i FSHF-së vizituan dy ditë më parë lokacionet e sugjeruara nga UEFA dhe më në fund pas një pune këmbëngulëse arritën të sigurojnë shërbimet e kësaj qendre stërvitore”, shkruante në komunikatën e FSHF-së.

24 orë para çdo ndeshjeje Kombëtarja e Shqipërisë do të transferohet në qytetin ku do të luhet dhe pas ndeshjes do të kthehet përsëri në kampin bazë për të vijuar përgatitjet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024