Bislimi pret në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, të cilit i shprehu mirëseardhje në Kosovë, teksa e uroi për pozitën e tij të re.

Në njoftim thuhet se ata kanë biseduar mbi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe gatishmërinë e ndërsjellët për forcimin e tyre. U përmend roli i rëndësishëm i mërgatës sonë në Zvicër si urë lidhëse mes dy vendeve.

Ambasadori Sprecher theksoi se ndihet i lumtur që ndodhet në Kosovë e që do kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës, përmes projekteve e iniciativave të ndryshme, thuhet në komunikatë.

Pjesë e diskutimit ishin dhe temat mbi procesin e dialogut e zhvillimi ekonomik i vendit. Në lidhje me këtë të fundit, zëvendëskryeministri foli mbi indikatorët pozitivë ekonomikë të Kosovës dhe potencialin për rritje.

Ambasadori Sprecher në takim u shoqërua nga zëvendës ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024