S’miratohet plani i punës, deputetët përplasen në komisionin për rezervat shtetërore
Biznes
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni hetimor parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, nuk ka gjetur dakordim në mbledhjen e sotme për të miratuar planin e punës.  Anëtarët e komisionit nga pozita dhe opozita u përplasën sërish rreth vonesave të konstitutimit të këtij komisioni dhe për kohëzgjatjen e mandatit të tij. Kësisoj, nuk u hodhën fare në votim miratimi i planit të punës dhe angazhimi i ekspertëve, derisa u vendos që të gjenden një kompromis dhe të organizohet një punëtori dyditore gjatë kësaj jave për finalizimin e planit të punës.

Anëtari i komisionit, deputeti i LVV-së, Driton Hyseni, tha se plani i punës nuk mund të bëhet vetëm nga opozitarët, por duhet të merren kërkesat edhe të deputetëve të mazhorancës.

Kërkesën për një punëtori e mirëpriti kryetari i komisionit, Rashit Qalaj, i cili tha se qëllimi i tij ka qenë që të dorëzojë një draft të planit të punës dhe pas rekomandimeve i njëjti të plotësohet.

Në anën tjetër, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku u shpreh kritike ndaj deputetëve të mazhorancës për vonesat në konstituimin e këtij komisioni.

Ajo kërkoi që plani i propozuar të miratohet, derisa nënvizoi se mandati duhet të zgjasë gjashtë muaj që nga koha e konstituimit të tij dhe jo nga themelimi në Kuvend.

Bunjaku pati një përplasje verbale me deputetin e LVV-së, Halil Thaçi, në momentin kur ai tha se komisioni u konstitua në momentin kur u votuan disa nga marrëveshjet ndërkombëtare.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla është konstituar javën e kaluar pas shtatë tentimesh, pasi deputetë e mazhorancës nuk e bënin kuorumin.

Ky komision është themeluar nga Kuvendi i Kosovës, pas kërkesës opozitare në lidhje me dyshimet për keqpërdorime për rezervën shtetërore./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024