12 vjet nga vdekja e Sabri Godos
Lexohet për: 3 min.
Sabri Godo
1 vit më parë
Linku u kopjua

Sabri Godo ishte një ndër politikanët më të njohur në Shqipëri, shkrimtar dhe skenarist. Më 3 dhjetor 2011, Sabri Godo u nda nga jeta pas një beteje me një tumor në mushkëri. Varrimi u bë më 4 dhjetor në varrezat e Tufinës, Tiranë.

Godo u lind në Delvinë më 8 gusht 1929. Shkollën fillore e kreu në Delvinë dhe më pas të mesmen e vazhdoi në Tiranë, të cilën e la në gjysmë në vitin e tretë, pasi mori pjesë në luftën antifashiste, nga 15 korriku 1943 deri në maj 1945, kur u kthye nga Jugosllavia.

Ai u largua nga Shqipëria së bashku me nënën e tij sepse përndiqej politikisht. Ka pasur veprimtari të ngjeshur në publicistikë, veçanërisht në revistën "Hosteni", ku ka botuar mbi tri mijë faqe fejtone e shkrime kritike me pseudonime.

Ndër veprat e tij artistike përmenden romanet dhe tregimet e tilla si: "Plaku i Butkës", Roman historik (1966); Ali Pashë Tepelena, roman 1970, Zëra nga burime të nxehta, tregime (1972); "Intendenti", tregim (1973); "Skënderbeu (1975), "Prova e zjarrit", roman (1977); "Kohët që shkojnë, kohët që vijnë", reportazhe (1985); "Ujërat e qeta", roman, (1988); "Koha e njeriut", roman (1990), "Udhëtari", roman (2009).

Në janar 1991, Sabri Godo themeloi Partinë Republikane të Shqipërisë dhe ishte kryetar i saj për shtatë vjet. Aktualisht ishte kryetar i Asamblesë Kombëtare të kësaj partie.

Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në dy legjislatura, ku ka ushtruar detyrën e kryetarit të Komisionit të Çështjeve Sociale dhe të atij të Politikës së Jashtme.

Më 12 dhjetor 2012, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani i dha Sabri Godos, pas vdekjes “Urdhrin e Skënderbeut” me motivacionin:

“Personalitetit të shquar të politikës dhe kulturës kombëtare, politikanit të urtë e vizionar, me kontribut të çmuar në proceset demokratike, shkrimtarit e skenaristit që talentin e vuri në shërbim të popullit e vendit të tij"

Më 14 dhjetor 2012, presidenti i Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano i ka akorduar Sabri Godos, titullin e nderit “Commendator” me motivacionin:

“Në konsideratë të meritave të veçanta, dhe me propozim të Presidentit të Këshillit te Ministrave, me dekretin e datës 27 dhjetor 2011, i dorëzon zotit Sabri Godo, Titullin e nderit “Commendator”, me të drejtën për të gëzuar nderimet e larta përkatëse dhe për t’u regjistruar në librin e Commendatorë-ve".

Vdekja

Më datë 3 dhjetor 2011 Sabri Godo u nda nga jeta pas një beteje me një tumor në mushkëri. Varrimi u bë me datën 4 dhjetor në varrezat e Tufinës, Tiranë.

Qeveria shpalli zi kombëtare, nga ora 12.30 deri në 14.30, ditën e diel, datë 4 dhjetor 2011, në nderim të të ndjerit, Sabri Godo, shkrimtar dhe politikan i shquar.

“Në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, të ulet flamuri kombëtar në gjysmë shtizë dhe në orën 14.30 të mbahet një minutë heshtje. Ceremonia e homazheve të organizohet ditën e diel, datë 4.12.2011, ora 12.30 deri 14.30, në mjediset e sallës së seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Radio-Televizioni Publik Shqiptar, gjatë zhvillimit të ceremonialit funebër zyrtar, të transmetojë muzikë funebre. Shpenzimet e varrimit dhe të ceremonialit të përballohen nga buxheti i vitit 2011, miratuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e atëhershëm të Qeverisë.

Ndërsa, më 10 maj 2013, Bashkia e Tiranës zbuloi bustin e Sabri Godos pranë Kuvendit të Republikës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024