Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese: Asociacioni një e keqe e domosdoshme
Intervista
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, thotë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është një e keqe e domosdoshme që do t’i hapë rrugë fuqizimit ndërkombëtar të Kosovës.

Profesori i të drejtës kushtetuese, deklaron për KosovaPress, se drafti i Asociacionit i propozuar nga euro-amerikanët, është në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet për vetëqeverisje lokale dhe Kartën Evropiane për vetëqeverisje lokale. Megjithatë, ai thekson se verdiktin final duhet ta jap Gjykata Kushtetuese, derisa shpreh dy shqetësime që sipas tij, janë te referimi i rezolutës 1244 ,te preambula e statutit, si dhe referimi i palëve te një komision i arbitrazhit në rast se qeveria dhe asociacioni kanë mospajtime.

“Ne kemi shqetësim por (Asociacioni) kisha me quajt një e keqe e domosdoshme, e cila në të ardhmen në bazë të garancioneve ndërkombëtar,e do t’i hap rrugë Kosovës që të integrohen në mekanizma ndërkombëtar, siç është Interpoli, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, OKB-ja dhe kështu me radhë... Barrën kryesore e ka Gjykata Kushtetuese, e cila është një institucion që do të jep verdiktin e fundit. Nëse konsiderohet se ka ndonjë dispozitë që është në kundërshtim me Kushtetutën, ajo duhet të bie. Do të punohet në mënyrë profesionale dhe politike, pasi ka të bëjë me integrimin e një institucioni të veçantë në Republikën e Kosovës”, thotë ai.

Kryeziu thotë se në bazë të draftit të publikuar nga ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, Asociacioni do të ketë një pushtet specifik lokal me disa kompetenca vetanake, që garantohen edhe përmes Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit.

Megjithatë, ai shpreh dy shqetësime që sipas tij, janë te referimi i rezolutës 1244, te preambula e statutit, si dhe referimi i palëve te një komision i arbitrazhit në rast se qeveria dhe asociacioni kanë mospajtime.

Sipas tij, garancia e propozimit euro-amerikanë, është se statuti i Asociacionit do të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, derisa përmend se për të njëjtën kanë punuar shkollat juridike, franceze, gjermane, amerikane dhe shqiptare.

Diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit.

Drafti nga institucionet kosovare nuk është publikuar ende, megjithatë, së fundmi i është dorëzuar edhe partive opozitare.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024