Pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit në Kosovë, Dushku: Po bëhemi gati
Intervista
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Prej 25 deri më 30 qershor të vitit të ardhshëm në Prishtinë, do të organizohet për herë të parë Kampionati Evropian për Shtete të Vogla – Femrat.

Kjo ngjarje i është besuar Federatës së Basketbollit të Kosovës nga mbledhja e bordit të FIBA-së, gjë për të cilën, sekretarja e FBK-së, Elvira Dushku thotë se tashmë kanë nisur përgatitjet për ndërtimin e skuadrës kombëtare, duke përfshirë edhe emërimin e një trajneri të ri.

“Organizimi i FIBA Kampionatit Evropian për shtete të vogla te femrat, do të jetë për herë të parë në Kosovë, është prej 25 deri më 30 qershor, marrin pjesë tetë shtete. Ne kemi filluar të mendojmë për ndërtimin e përfaqësuese A të Kosovës. E kemi një brezë të lojtareve që janë më në moshë, mos të t’iu themi veterane, por e kemi edhe një brezë të ri që është duke ardhur dhe do ta bëjmë një përzierje të këtyre dy gjeneratave, por njëkohësisht jemi duke synuar për ta angazhuar një trajner të huaj, i cili më pas do ta krijojë shtabin teknik dhe kështu pas të arrijmë t’i realizojmë të gjitha këto deri në mesin e muajit dhjetor, atëherë do të ulemi dhe të vendosim për synimet tona, a do të jetë vendi i tretë, i dyti apo ta fitojmë tërë Kampionatin Evropian për shtete të vogla”, tha Dushku.

Sekretarja e FBK-së, zbulon për KosovaPress, se kjo federatë ka fituar edhe të drejtën e organizimit të FIBA Kampionatit Evropian U18.

Për ta fituar organizimin e ngjarjeve të tilla, Dushku thotë se Kosova ka mposhtur konkurrencën e shumë shteteve të tjera, duke iu falënderuar besimit të madha nga bordi i FIBA-së.

Spektakli i basketbollit ndërkombëtar në Kosovë vitin e ardhshëm do të vazhdojë edhe në basketbollin 3x3. Dushku zbulon se do të organizohen tri ngjarje të tilla në Prishtinë.

Organizimi i të gjitha këtyre ndeshjeve të basketbollit gjatë vitit të ardhshëm, do të bëhet në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, si dhe në Sallën “1 tetori”, në Prishtinë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024