Çmimet e importit më të larta për 3 për qind këtë vit sesa më 2022
Biznes
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Indeksi i tërësishëm i çmimeve të importit në Kosovë u ngrit për 0,6% në tremujorin e tretë të vitit 2023, krahasuar me tremujorin e dytë 2023. Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, krahasuar TM3 2023 me TM3 2022 çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 3,0%.

“Çmimet e importit në Kosovë patën një ngritje në një mesatare prej 0,6% në TM3 2023, krahasuar me TM2 2023. Ngritje më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te: këpucët (6,2%); produktet minerale (3,1%); artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani (2,5%) etj”, thuhet në raportin e ASK-së.

Në raport thuhet se ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: vajrat ushqyese (-3,9%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale, muzikore dhe mekanizmat e orës (-3,3%); artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit (-2,3%); lëkura dhe artikujt e saj (-1,5%); mjetet e transportit (-0,9%) etj.

Sipas ASK-së, çmimet e importit në Kosovë u ngritën në një mesatare prej 3,0% në TM3 2023, krahasuar me TM3  2022. Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te: letra dhe artikujt e saj (17,9%); lëkura dhe artikujt e saj (17,1%); produktet bimore (16,8%); tekstili dhe artikujt e tekstilit (16,1%); instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës (12,1%); mjetet e transportit (9,5%) etj.

Në fund thuhet po ashtu se ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te: vajrat ushqyese (-15,6 %); plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre (-8,7%); produktet minerale (-6,0%); metalet bazë dhe artikujt e metaleve bazë (-5,1%); si dhe druri dhe artikujt e tij (-1,5%).

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024