Abdixhiku i reagon ministrit Aliu për deklaratën se Kosova është projekt i përkohshëm
Tjera
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratës së Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, i cili tha se “Kosova shtet i pavarur është projekt i përkohshëm”.

Në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka shkruar se “ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit?”.

Tutje, kreu i LDK-së ka theksuar se Kosova sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj.

“Ç’të duhen kundërshtarët e jashtëm, kur i ke të brendshmit? Republika e Kosovës, sot udhëhiqet nga popullistë mosbesues të saj. Fati i projektit më të madh shqiptar, ‘Kosova shtet i pavarur e sovran’ është në duar të mohuesve të vet shtetësisë. Prandaj betimi mbi Republikë është farsë. Prandaj shkelja e Kushtetutës bëhet zakonshmëri. Sepse mosbesimi ndaj Kosovës është bindje. Këta kanë atdhe të dytë. Ne kemi vetëm Kosovën”, ka shkruar ai.

Abdixhiku shtoi tha se LDK-ja si formacion i vetëm pavarësist, beson në Republikë dhe se sipas tij, Kosova është e përhershme.

“Fëmijët tanë meritojnë të besojnë në Republikë! Në shtetin që prindërit e gjyshërit e tyre nuk e kishin por ua kanë lënë me plot sakrificë. Në shtetin që në vend të mbytjes së ëndrrave e dhënies së pasigurisë u jep shpresën se një ditë do të jenë të barabartë mes popujve e shteteve euroatlantik! Prandaj dhe zgjedhja juaj është fare e lehtë. Sepse Kosova është e përhershme“, tha tutje ai.

Në anën tjetër, ministri Liburn Aliu  ka vazhduar t’i qëndrojë mbrapa deklaratës se për të, shteti i pavarur i Kosovës është projekt i përkohshëm.

Aliu në një prononcim për Klankosova.tv tha se për të Kosova është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipërinë.

“E konfirmoj që për mua Kosova, në rrethanën në të cilën është, me Kushtetutë e këto gjëra, është projekt i përkohshëm. Është proces kalimtar drejt bashkimit me Shqipëri. Sqarimet më tej i bëjmë bashkë kur të kthehem në Kosovë”, tha Aliu.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024