Qytetarët në hall me 2 eurot false, disa biznese nuk i pranojnë këto monedha
Tema
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Shtimi masiv i monedhave 2 euro false në tregun e Kosovës po i sfidon qytetarët dhe disa biznese në vend. Qytetarët shprehen të mllefosur që po përballen me bankënotat nga 2 euro të falsifikuara. Kjo dukuri është bërë shqetësuese për qytetarët, disa biznese kanë filluar të mos i pranojnë këtë monedha me 2 euro fare. Po ashtu edhe disa transportues publikë në Prishtinë nuk po i pranojnë nga udhëtarët këto bankënota.

Pronari i një marketi në Prishtinë, Fidaim Rushiti thekson se nuk është duke pranuar bankënota nga 2 euro, dhe gjithashtu sipas tij, nuk po pranohen as nga konsumatorët edhe nëse janë ato origjinal.

Qytetari Mentor Isufi thotë se nuk është e drejtë që marketet të mos i pranojnë monedhat nga 2 euro, sepse sipas tij, me ligj janë të detyruar t’i pranojnë çfarëdo monedhe.

Ndërsa, një qytetar tjetër, Shaban Kurtolli ka treguar mënyrën e identifikimit të parave flasë.

Ndërsa, Pajtim Çuni tregoi eksperiencën e tij duke thënë se ka gati një javë që ka probleme me këto para.

Banka Qendrore e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress janë deklaruar se BQK është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar bashkëpunim dhe mbështetje profesionale.

Policia e Kosovës në një përgjigje me shkrim për KosovaPress se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste për paratë falëse.

Ndërsa, ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti i bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të shmangin pagesat me para kesh apo mundësitë për të rënë në kontakt me monedhat.

Ai tha se tregtarët dhe qytetarët kanë eksperienca të panjohura me paratë e falsifikuara, ndërsa institucionet bankare përballen me këto lloj monedhash shumë herë dhe metodat që përdoren për identifikimin e tyre janë të përsosura.

Mehmeti shton se për të mbajtur larg këta persona që duan të kanalizojnë monedhat false është e nevojshme të mbahen trajnime për sigurinë nga institucionet e specializuara dhe institucionet që kanë qarkullim të madh të parave kesh të investojnë në këto trajnime të stafit.

Ndërsa, disa biznes kanë filluar që të mos i pranojnë monedhat nga 2 euro, edhe nëse janë origjinal. Disa biznese po ashtu nëpërmjet një njoftimi (letre në market) njoftojnë konsumatorët se ‘monedha 2 euro nuk pranohet’.

Prokuroria Speciale ditë më parë gjatë një operacion ka arrestuar në flagrancë gjashtë persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim), pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike dy euro të falsifikuara. Ndërkaq, tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut, dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës.

Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej 85 mijë euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

BQK-ja ka hartuar një manual/udhëzues në kuadër të Edukimit Financiar, që tregon mbi veçoritë teknike dhe tiparet e sigurisë të monedhës Euro:

/A. Shala /

https://kosovapress.com/6-persona-denohen-me-nga-nje-muaj-paraburgim-per-falsifikim-te-parave/
https://kosovapress.com/zbulohet-grupi-qe-fuste-ne-qarkullim-2-euro-false-arrestohen-gjashte-te-dyshuar/
https://kosovapress.com/nje-qytetar-kreu-pagese-me-500-monedha-nga-2-euro-false-policia-nis-hetimet/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024