Viti 2024 sjell ngjarjet më të mëdha të basketbollit ndërkombëtar në Kosovë
Sport
Lexohet për: 4 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Fillimisht, në datat 08-09 qershor 2024, Prishtina do të jetë nikoqire e FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier, një garë kjo e rëndësishme e disiplinës 3x3, ku 15 shtete në të dyja konkurrencat do t'i matin forcat për të siguruar një vend në FIBA 3x3 Europe Cup, pra fituesit e FIBA 3x3 Europe Cup Qualifier 2024 kualifikohen direkt në FIBA 3x3 Europe Cup të po njëjtit vit. Kosova në këtë garë do të paraqitet me të dyja konkurrencat.

Prej 25 deri më 30 qershor në Prishtinë, FBK do të jetë për herë të parë organizatore e FIBA Kampionatit Evropian për Shtete të Vogla – Femrat, në të cilin Evropian do të marrin pjesë 8 shtete, ndërsa FBK ka filluar qysh tani të mobilizohet për të ndërtuar një skuadër, e cila do të ketë paraqitje dhe synime më të mëdha se sa në dy edicionet e para kur ka marr pjesë në këtë garë.

Më 18 dhe 19 korrik, klubi 3x3 Prishtina në bashkëpunim me FBK, Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport dhe Komunën e Prishtinës do të jetë nikoqire e FIBA 3x3 Women’s Series, kurse prej 20 deri më 21 korrik do të organizohet një tjetër event prestigjioz si FIBA 3x3 Challenger Prishtina. Kjo është hera e dytë radhazi që këto gara i besohen klubit 3x3 Prishtina nga FIBA, falë mbështetjes së madhe nga FBK. Edhe në këto gara, Kosova do të paraqitet me të dyja konkurrencat, ku qëllimi është që të rritet niveli i lojës për dallim nga ai i vitit 2023.

Ngjarja e fundit që do ta organizoj FBK në verën e vitit 2024 është FIBA U18 Kampionati Evropian, Divizioni C për Femra prej 23 deri më 28 korrik, në të cilën garë do të marrin pjesë 8 shtete, kurse Kosova synon të ketë paraqitje dhe rezultate dukshëm më të mira se sa në verën e këtij viti.

Duhet theksuar se FBK prej vitit 2018 rregullisht është organizatore e garave të FIBA-s për FIBA Kampionatet Evropiane të Gjeneratave të Reja, derisa së fundi ka nisur t'i besohet edhe organizimi i aktiviteteve të 3x3, falë interesimit të madh të Federatës për të zhvilluar këtë disiplinë në vendin tonë.

“Federata e Basketbollit e Kosovës është e nderuar dhe e emocionuar të presë jo vetëm një, por pesë ngjarje ndërkombëtare të basketbollit në vitin e ardhshëm. Kjo arritje është një dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe pasionit të të gjithë komunitetit të basketbollit në vendin tonë.

Vendimi për t'i besuar Kosovës organizimin e këtyre garave prestigjioze është një reflektim i përkushtimit tonë për përsosmëri dhe hapave të jashtëzakonshëm që kemi bërë në këtë sport. I shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë FIBA-s për njohjen e potencialit të Kosovës dhe ofrimin e mundësisë për të shfaqur aftësitë tona në skenën globale.

E rëndësisë së veçantë është privilegji ynë për të organizuar tri ngjarje të FIBA-s kushtuar ekskluzivisht basketbollit për femra. Kjo njohje e rëndësisë së sportit të femrave përputhet në mënyrë të përkryer me vlerat tona të gjithëpërfshirjes dhe barazisë. Ne besojmë në ofrimin e mundësive të barabarta për të dyja gjinitë për të shfaqur aftësitë dhe pasionin e tyre për lojën e basketbollit. Këto ngjarje jo vetëm që do të festojnë talentin e jashtëzakonshëm të basketbollisteve, por gjithashtu do të frymëzojnë një brez të ri të vajzave të reja për të ndjekur ëndrrat e tyre në botën e basketbollit”, tha presidenti i FBK-së, Arben Fetahu.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024