Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, mbërriti sonte në Shkup, ku u takua me ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut dhe kryesuesin e OSBE-së, Bujar Osmani.
Pas takimit me Osmanin, Blinken do të marrë pjesë në darkën e punës të organizuar në margjinat e samitit të OSBE-së, i cili fillon më 30 nëntor dhe mbaron më 1 dhjetor.
Blinkeni ka thënë se SHBA-ja e mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik dhe punën për forcimin e institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa, kryediplomati Osmani e falënderoi Blinken për mbështetjen e jashtëzakonshme, siç tha, gjatë kryesimit të OSBE-së.
Sekretari amerikan i Shtetit nuk bëri komente tjera rreth takimit të Këshillit të Ministrave të OSBE-së dhe pjesëmarrjes së ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov, në të.
Pjesëmarrja e Lavrov në këtë takim u mundësua nga Shkupi dhe Sofja që pezulluan përkohësisht sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian për fluturimet e avionëve rusë për shkak të agresionit rus kundër Ukrainës.
Burime nga OSBE-ja bënë me dije se delegacioni rus mund të ketë deri në 85 persona, përfshirë mjekun personal të ministrit të Jashtëm, zëvendësin e tij, Aleksandr Grushko, zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, personelin e sigurisë dhe 24 gazetarë rusë.
Heqja e ndalesës për diplomatin rus, Sergei Lavrov, bëri që pjesëmarrjen në Këshillin Ministror të OSBE-së ta anulojnë ministrat e jashtëm të Ukrainës, Dmitry Kuleba, dhe të vendeve baltike si Estonia, Letonia dhe Lituania.
Në takimin e mëparshëm ministror të OSBE-së, që u mbajt dhjetorin e kaluar në qytetin polak, Loxh, Polonia nuk e lejoi praninë e Lavrovit.
Varshava, udhëheqëse e OSBE-së në vitin 2022, vuri në dukje se Lavrov ishte në listën e sanksioneve të BE-së, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që kishte nisur në shkurt të atij viti.
Në ditën e parë të Këshillit, të enjten është paraparë nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për luftën kundër korrupsionit në Evropën Juglindore përmes kthimit të pronave dhe përdorimit të digjitalizimit.
Ndërsa, tema e dytë ka të bëjë me ndikimin e ndryshimeve klimatike në sigurinë e njerëzve në shtetet që janë pjesë e OSBE-së.