Rohde: Ky është lajmi i mirë dhe lajmi i keq nga raporti për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde i ka falënderuar ekspertët ligjorë për raportin për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, i cili u bë publik dje.

Në llogarinë e tij në “X”, Rohde shkruajti se në këtë raport ka një lajm të mirë dhe një të keq që kanë të bëjnë me konformitetin e sistemit juridik të Kosovës me standardet e Këshillit të Evropës.

“Faleminderit për raportin e ekspertëve ligjorë të Këshillit të Evropës për konformitetin e sistemit politik/juridik të Kosovës me standardet e KiE. Lajmi i mirë: 'rregullat ligjore në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare'. Lajmi i keq: Moszbatimi i vendimit të GJK-së në Deçan shënon 'shkelje të qartë të sundimit të ligjit”, tha Rohde.

“Ekspertët e përshkruajnë Kosovën si një demokraci funksionale dhe vlerësojnë kushtetutën e saj moderne me “garanci të forta për pavarësinë e gjyqësorit”. Por ata gjithashtu theksojnë kritikat 'të ashpra' ndaj përfaqësuesve dhe institucioneve gjyqësore nga politikanët në poste të larta”, theksoi Rohde.

Ai shtoi se dy rekomandimet e para të raportit për Kosovës për sundimin e ligjit janë respektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit dhe respektimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Kështu, 2 rekomandimet e para të raportit për Kosovën për sundimin e ligjit janë: 1. Zbatimi pa vonesë i vendimeve për Deçanin, 2. Respektimi i plotë i pavarësisë së gjyqësorit, duke përfshirë edhe shmangien nga kritikat e panevojshme që minojnë besimin në gjyqësor”, shtoi ambasadori gjerman.

Në fund, ai tha se raporti nxjerr një pamje të përzier.

“Në përgjithësi, raporti nxjerr një pamje të përzier, duke treguar standarde të larta ligjore që nuk zbatohen gjithmonë plotësisht. Është shumë e qartë për mua se zbatimi urgjent - siç kërkohet vazhdimisht nga komuniteti ndërkombëtar - është i nevojshëm për të avancuar me sukses ofertën për anëtarësim të Kosovës”, përfundoi Rohde.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024