Shkupi gati t’i bëjë bashkë Lavrovin dhe Blinken-in, “bllokohet” qyteti
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Maqedonia e Veriut do të jetë nikoqire e Këshillit të 30-të ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – OSBE, i cili nga sot deri më 1 dhjetor do të mbahet në Shkup, ku pritet të marrin pjesë rreth 1000 delegatë. Kjo ka bërë që sot në kryeqytetin maqedonas të bllokohen disa rrugë.

E për shkak të kësaj mbledhjeje, qeveria e Maqedonisë ka vendosur që sot (e mërkurë) orari i punës për të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore dhe publike në territorin e qytetit të Shkupit të përfundojë në ora 12:00 dhe nesër të jetë ditë pushimi për të gjithë punonjësit në administratën shtetërore dhe publike, si dhe për shkollat ​​bazë dhe të mesme në zonën e kryeqytetit.

Me këtë rast, kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani,  ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet për Këshillin e 30-të Ministror të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE).

Ndryshe, takimi do të shënojë praninë e diplomatëve të parë të Shteteve të Bashkuara dhe Federatës Ruse, Anthony Blinken dhe Sergei Lavrov, duke e bërë atë një nga ngjarjet e pakta që do t’i gjejë të dy në të njëjtin vend që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, në shkurt 2022.

76 delegacione nga 57 shtete anëtare dhe shtete partnere të Organizatës do të marrin pjesë në ngjarjen më të madhe politiko-diplomatike që është zhvilluar në Maqedoni që nga pavarësia.

Varshava, udhëheqëse e OSBE-së në vitin 2022, vuri në dukje se Lavrov ishte në listën e sanksioneve të BE-së, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, që kishte nisur në shkurt të atij viti.

Maqedonia e Veriut konfirmoi se do ta lejojë uljen e avionit të Lavrovit, ndërsa Bullgaria i dha leje atij që ta shfrytëzojë hapësirën e saj ajrore në rrugën për në Shkup.

Shkupi e mori vetë këtë vendim, por është e qartë se ai plotëson dëshirën e shumicës së anëtarëve të OSBE-së, të cilët argumentuan se prania e Lavrovit kësaj radhe mund të jetë e dobishme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024