Gërvalla vazhdon takimet dypalëshe në Forumin Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Në ditën e dytë të qëndrimit në Senegal dhe pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar për Paqe dhe Siguri, i cili po mbahet në Dakar, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka vazhduar takimet dypalëshe me përfaqësues nga shtete të ndryshme.

Ministrja Gërvalla në margjina të këtij Forumi takoi delegacionin e Bregut të Fildishtë, të kryesuar nga Ministri i Deleguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bregut të Fildishtë, Wautabauna OUATTARA, Zëvendës ndihmësadministratorin e USAID-it për Parandalimin dhe Stabilizimin e Konflikteve, Neilesh Shelat, dhe pjesëmarrës të tjerë të Forumit.

Sipas njoftimit, thellimi i bashkëpunimit të dyanshëm dhe konkretizimi i tij përmes programeve të veçanta dhe në fusha të interesit të dyanshëm ishin temat kryesore ku u përqendrua biseda në kuadër të takimeve të ndara.

Ministrja Gërvalla mori pjesë edhe në konferencën përmbyllëse të Forumit për media, së bashku me Ministrin e Jashtëm të Senegalit, Ismaila Maidor Fall dhe Ministrin e Jashtëm të Kepit të Gjelbër/Cabo Verdes, Rui Alberto De Figueiredo Soares, ku ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me kontinentin afrikan në përgjithësi dhe bashkëpunimin me Republikën e Senegalit në veçanti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024