Reka: SIGMA, e para që aplikon standarde të reja me sisteme ndërkombëtare
Intervista
Lexohet për: 5 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ashtu si në tregjet ndërkombëtare, edhe në Kosovë janë rritur nevojat për modernizimin e sistemeve dhe përshtatjen e tyre me standardet ndërkombëtare. Si çdo kërkesë në rritje, edhe kjo shoqërohet me me ndryshime të mëdha.

Investimi i fundit i SIGMA Kosovë në këtë drejtim ka qenë implementimi i standardeve për raportimin financiar për SNRF 9 dhe 17, të cilat e bëjnë kompaninë të operojë me të njëjtat standarde si ato të kompanive botërore në termat e vlerësimit të pasurive dhe detyrimeve.

Për të zbuluar se cilat janë avantazhet, vështirësitë dhe se risitë që këto standarde do të sjellin për tregun e sigurimeve dhe klientët në Kosovë, lexoni më poshtë intervistën me Zj. Gylsa Reka, Drejtoreshë e Departamentit të Financës dhe Kontabilitetit në SIGMA Kosovë, e cila vjen me një eksperiencë 11-vjeçare në industrine e sigurimeve.

Cilat kanë qenë sfidat kryesore të kompanisë në implementimin e këtyre dy standardeve të reja te raportimit financiar, përkatësisht SNRF 9 dhe 17?

Për implementimin e SNRF 9 dhe 17, nga ana e Grupit ne Vjenë u përgatit plani me afatet, grupet e punës dhe përgjegjësitë duke filluar me punën përgatitore shumë herët, që ne vitin 2018. 

Ne fazën e parë, fokusi i Grupit ishte puna e jashtëzakonshme në trajnimin dhe edukimin teorik të secilit pjesëmarrës për te kuptuar kërkesat e standardit dhe mënyrën e aplikimit të tij në kompani. 

Faza e dytë e implementimit konsistonte në zhvillimin e sistemeve teknike (software-ike), e cila përveç punës teknike, të analizës dhe zgjedhjes së opsioneve të duhura, ishte përshtatja e tyre me sistemet teknike lokale, të cilat deri ne atë kohe nuk ishin zhvilluar të gjeneronin të dhëna analitike dhe sipas formave te kërkuara nga vetë standardi.

Faza e fundit ishte ajo e analizës së numrave dhe raporteve të marra sipas standardeve të reja dhe po ashtu si pjese e kësaj faze planifikimi 3-vjeçar i biznesit sipas këtyre standardeve.

Ndërkohë, implementimi ka përfunduar me sukses duke ndryshuar tërësisht formën e raportimit dhe buxhetimit, gjë e cila ju jep mundësinë drejtuesve të kompanive ta drejtojnë modelin e tyre operacional dhe strategjik të të berit biznes drejt vlerës në kohë të parasë.

Përtej vështirësive që u hasen në secilën fazë, puna e jashtëzakonshme e stafit tonë me mbështetjen e dhënë nga Vienna Insurance Group na dha krenarinë të jemi pjesë e një historie suksesi të grupit tonë.

Pasqyrat financiare të kompanisë më datë 31.12.2023 do të jenë tërësisht të ndërtuara sipas këtyre dy standardeve.

Cilat mendoni se janë përfitimet e kompanive të sigurimit në implementimin e këtyre standardeve të raportimit financiar?

Vlerësoj se çdo ndryshim në standardet e raportimit financiar, shoqërohet me rritjen e nivelit të informacionit analitik për secilin pozicion financiar të kompanisë.

Duke qenë se këto dy SNRF ndryshojnë mënyrën e mbajtjes dhe raportimit, si të pasurive SNRF 9, ashtu edhe të detyrimeve SNRF 17, analiza e pozicionit financiar shihet në një këndvështrim të ndryshëm nga i mëparshmi.

Implementimi i SNRF 9 ndihmon drejtuesit e biznesit të bëjnë një vlerësim të qartë dhe analitik të rreziqeve që lidhen me mjetet financiare, duke ndihmuar të përmirësojnë mënyrën se si kompanitë e sigurimeve menaxhojnë fondet e tyre dhe i investojnë ato.

Ndërsa implementimi i SNRF 17 ka sjelle një ndihmë të madh në standardizimin e raportimit të kontratave të sigurimit, duke siguruar konsistencë në raportim dhe krahasueshmëri.

Kjo do ta bëjë më të lehtë krahasimin e kompanive të sigurimit duke i dhënë një pasqyrë të qartë të gjitha palëve të interesuara për pozicionin e tyre financiar.

A është aplikuar ky standard i ri dhe në tregun e sigurimeve të Kosovës?

Kompanitë Financiare që operojnë në tregun e Republikës se Kosovës janë të obliguara për të raportuar sipas standardeve më të fundit të raportimit financiar. Sipas kësaj, do të duhej që dhe kompanitë e sigurimit të kishin raportuar konform këtyre dy standardeve më datë 31.12.2023. SNRF 17 paraqet ndryshimin më të madh të kontabilitetit për siguruesit në shumë vite, duke implikuar dhe kërkuar përfshirje, jo vetëm të departamentit të kontabilitetit, por edhe të departamentit të financës, atij të teknologji informative, ligjor, etj. Të bashkërendosh punën në disa departamente që vijnë nga fusha të ndryshme e bën kompleks dhe të vështirë implementimin. Bazuar në eksperiencën e disa vendeve në rajon, pritet që të lëshohet një vendim për shtyrjen në një afat te dytë të këtij standardi për kompanitë lokale.

Përpos të mirave që këto standarde sjellin për tregun e sigurimeve, si përkthehet kjo për klientin?

Përdorimi i standardeve ndërkombëtare rrit transparencën në lidhje me pozitën financiare të SIGMA në Kosovë, duke i bërë pasqyrat lehtësisht të krahasueshme me kompanitë e tjera në tregun e sigurimeve. Pozita e fortë financiare dhe aftësia paguese e kompanisë shton sigurinë dhe transparencën ndaj klientëve tanë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024