Mbi 20.000 punonjës të arsimit janë në grevë në Gjermani
Bota
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Në Gjermani, më shumë se 20.000 arsimtarë të sektorit publik dolën sot në grevë, njoftoi Sindikata e Arsimit dhe Shkencës (GEW).

"Nëse punëdhënësi më në fund nuk reagon dhe nuk fillon t'i paguajë punonjësit në sektorin publik në mënyrë të drejtë, kriza me mungesën e fuqisë punëtore profesionale do të thellohet më tej," tha presidentja e GEW Doreen Siebernik në takimin qendror në Lajpcig, ku u mblodhën rreth 7.000 arsimtarë.

Përveç në Lajpcig, tubimet më të mëdha u mbajtën në Berlin, Hamburg dhe Karlsruhe, ku mijëra punonjës në shkolla, kolegje, kopshte dhe zyra rinore dolën në rrugë.

Siebernik shpjegoi se arsimtarët dhe punëtorët në institucionet arsimore janë veçanërisht të prekur nga mungesa e fuqisë punëtore, kjo është arsyeja pse shumë vende pune në sektor mbeten të paplotësuara.

Sipas një studimi të publikuar sot nga Fondacioni “Bertelsmann”, situata është kritike, veçanërisht në kopshtet e fëmijëve, ku mungojnë mbi 430 mijë vende në kopshte për shkak të mungesës së edukatorëve.

Sindikatat kërkojnë nga punëdhënësi, përkatësisht qytetet dhe bashkitë, rritje pagash prej 10.5 për qind ose të paktën 500 euro më shumë në muaj. Përveç kësaj, ata janë në kërkim të kontratës së përhershme për studentët që punojnë në arsim para përfundimit të studimeve.

Një raund i ri negociatash midis sindikatave dhe punëdhënësve do të zhvillohet javën e ardhshme.

https://twitter.com/i/status/1729549792890507577
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024