Përurohet monumenti i dëshmorëve të UÇK-së në Petrovë të Shtimes
Lajme
Lexohet për: 4 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Me rastin e festave të nëntorit, sot në sheshin "Shaban Jashari" në Petrovë të Shtimes u inaugurua monumenti i dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj.

Në këtë tubim morën pjesë krerë komunalë, familjarë të dëshmorëve, invalidë, veteranë, qytetarë e veprimtarë të shumtë.

Kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se është nder për të gjithë ne që dëshmorët Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj po e marrin nderimin e merituar duke i përjetësuar në këtë lapidar madhështor.

“Sot po nderohen Xhemshiri, Fadili, Kadriu si dhe breza e breza të luftëtarëve, burra dhe djem që kombi mburret me ta. Fshati Petrovë dhe gjithë kjo trevë krenohet me rrugën e vet për liri edhe me sakrificën e vet në shërbim të atdheut, në shërbim të kombit, në shërbim të shqiptarëve”, tha ai.

Aliu shtoi se pllaka përkujtimore kushtuar dëshmorëve është nder për secilin komb.

“Çdo komb që e çmon lirinë, çdo komb që ende e ka të freskët rrugën për liri, edhe brezat që jetojnë, ata breza që kanë rrugëtuar me heronjtë, me dëshmorët, e dinë rëndësinë e tyre, e dinë rëndësinë e memorialit, që nderimin për dëshmorët, për martirët, për të rënët për liri, ta kultivojmë për brezat që vijnë”, tha ai.

Duke përkujtuar se sot na bashkon festa e flamurit kombëtar, kryetari Aliu theksoi se gjithmonë veprat e mëdha lidhen me emrat e njerëzve që mbeten të përjetshëm në faqet e historisë për të përcjellë mesazhe te brezat e ardhshëm.

Ai tha se asnjëherë nuk duhet harruar sakrifica dhe përpjekja, deri në flijim, për të mirën e përgjithshme, të kombit, familjes dhe shoqërisë.

“Ky memorial bëhet jo vetëm për ne, por bëhet për breza e breza që do të vijnë, që ata ta kuptojnë rrugën drejt lirisë. Ky memorial është si garancia që asnjëherë historia të mos përsëritet. Zbulimi i shtatoreve, përmendoreve, busteve e pllakave përkujtimore, na kthen në një periudhë kohore e cila përcillej atëherë me dhunë e terror të paparë, të shkaktuar nga pushtues të ndryshëm, të cilët me shekuj nuk kanë dashur që në këtë vend të jetojnë shqiptarët si popull autokton në trojet e veta”, u shpreh Aliu.

Nga vendlindja e dëshmorëve Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti, Kadri Ademaj dhe e shumë dëshmorëve të rënë në luftën për liri, kryetari Aliu theksoi se asnjëherë institucionet e Komunës së Shtimes nuk do të ndalen së nderuari deri në përkulje për veprën e tyre deri në sakrificë që të jetojmë të lirë në tokën autoktone shqiptare.

Një fjalë rasti në këtë tubim mbajti ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ndërsa si protagonist i ngjarjes së rënies heroike të dëshmorit të lirisë, Xhemshir Xhemshiri një fjalim e ka mbajtur veterani i UÇK-së, Bislim Bislimaj.

Ndërsa për dëshmorët e rënë, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj një fjalë e ka mbajtur bashkëluftëtari i betejës së 14 dhjetorit 1998, invalidi i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi.

Në emër të familjeve të dëshmorëve i ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit, djali i dëshmorit Xhemshir Xhemshiri, Gazmend Xhemshiri, ndërsa në emër të Këshillit Organizativ të këtij manifestimi një fjalë rasti ka mbajtur, Ibush Rashiti duke falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e këtij projekti madhështor.

Për ta madhështuar këtë manifestim, nxënësit e shkollës “Bajram Curri” të Petrovës kanë recituar poezi kushtuar dëshmorëve të kombit, ndërsa rapsodët popullorë Agim Elmazi dhe Elmi Agushi e kanë pasuruar këtë program kulturo-artistike duke iu kënduar luftëtarëve të lirisë Xhemshir Xhemshiri, Fadil Rashiti dhe Kadri Ademaj.

Në përmbyllje të këtij manifestim, organizatorët e këtij manifestimi, në objektin e SHFMU “Bajram Curri” në Petrovë, kanë organizuar për të gjithë të pranishmit një koktej rasti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024