Borrell thotë se do të vazhdojnë të sigurojnë stabilitet në veri të Kosovës
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas takimit me ministrat e jashtëm të NATO-s të martën në Bruksel, ka deklaruar se anëtarët e Bashkimit Evropian janë të angazhuar për paqe në Ballkanin Perëndimor.

Ai në një video-adresim në rrjetin social X, ka thënë se KFOR-i dhe EULEX-it do të vazhdojnë bashkëpunimin me qëllim të sigurimit të stabilitetit në veri të Kosovës.

“Në këtë sesion ne folëm për Ballkanin Perëndimor. Ju e dini se sa i rëndësishëm është Ballkani Perëndimor për BE-në. Shumë anëtarë të bllokut janë të angazhuar për stabilitet në këtë rajon dhe shumë shtete të këtij rajoni janë kandidate. Stabiliteti i tyre, prosperiteti dhe përshtatja me politikën e jashtme është shumë e rëndësishme për ne. Më lejoni të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe NATO-s në veri të Kosovës. Misioni ynë i EULEX-it është i pozicionuar dhe ka një bashkëpunim të fortë me KFOR-in dhe po përballen me momente të vështira. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë stabilitet dhe siguri në këtë pjesë të Kosovës dhe në kufirin me Serbinë”, ka thënë Borrell.

Ai ka theksuar se EULEX-i ndër vite ka luajtur rol të rëndësishëm për paqen në Kosovë dhe se do të vazhdojë ta bëjë një gjë të tillë edhe në të ardhmen, teksa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të rrisin vullnetin për marrëveshje për rrugën e tyre evropiane.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024