Përkundër përpjekjeve të shtuara së fundmi nga euro-amerikanët, ka pak shpresë se gjatë këtij viti do të fillojë zbatimi i marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, ku përfshihet edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pozitë dhe opozitë janë skeptike për një gjë të tillë, derisa e fajësojnë Serbinë për qasje destruktive. Në anën tjetër, njohësit e procesit të dialogut, akuzojnë Bashkimin Evropian si ndërmjetës të dialogut se nuk kanë mekanizma të duhur për të vendosur në binarë dialogun.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress, se pa pasur një nënshkrim të marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, po ashtu edhe të planit të sekuencimit nuk mund të ketë zbatim të tyre.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Pal Lekajm, thotë se ngecja dhe pasiguria për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit është për shkak se Serbia nuk është e interesuar të zbatojë asgjë në atë ujdi, përveç Asociacionit.
Nga ana tjetër, njohësi i procesit të dialogut, Dritëro Arifi, thotë se dialogu ka rrëshqitur në një pikë ku palët vetëm e akuzojnë njëra-tjetrën, pasi BE-ja nuk po ka mekanizma për t’i detyruar të zbatojë ujdinë e dakorduar.
Pas dështimit të arritjes së rezultateve në takimin Kurti-Vuçiq më 14 shtator dhe pas sulmit terrorist serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, diplomatët euro-amerikanët më 21 tetor paraqitën një plan të ri për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, ku mes tjerash prezantuan një draft për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes, që flet për vetëmenaxhimin e serbëve në Kosovë, rrjedhimisht themelimin e Asociacionit, të cilin kryeministri Kurti tha se është i gatshëm të nënshkruajë, krahas marrëveshjes bazë dhe aneksit, por që u tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiq e refuzoi.
Drafti nga institucionet kosovare nuk është publikuar ende, megjithatë, një të tillë e ka publikuar ish kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, i cili ka thënë se ai është origjinali që është propozuar nga euro-amerikanët