Falja e tatimit në pronë, Ministria e Financave njofton komunat për vendimin e Gjykatës Kushtetuese
Lajme
Lexohet për: 2 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Pas publikimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në lidhje me faljen e tatimit në pronë për tatimpaguesit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i ka njoftuar Komunat e Republikës së Kosovës për përmbajtjen e Aktgjykimit si dhe për afatin e përcaktuar nga Gjykata për zbatimin e dispozitës ligjore për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 deri në vlerën prej 100 €.

Si rrjedhojë, komunat e Republikës së Kosovës janë njoftuar se deri më datën 08.12.2023 mund të vendosin rreth faljes së tatimit në pronë e cila mund të lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro.

Tatimpaguesit e komunës e cila e merr këtë Vendim, do të përfitojnë nga falja deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro, ndërsa ata të cilët e kanë paguar tatimin në pronë për vitin 2023 shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese.

Departamenti i Tatimit në Pronë në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë në dispozicionin e komunave për sqarime shtesë lidhur me këtë çështje, thuhet në njoftim.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024