Bislimi udhëton për Bruksel, do të merr pjesë në takimin mbi Planin për Rritje
Lajme
Lexohet për: 2 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar sot drejt Brukselit. 

Me ftesë nga drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit të BE-së, Gert Jan Koopman, ai do të udhëheqë delegacionin nga Kosova në një takim të përbashkët ku do të diskutohet mbi Planin për Rritje. 

Republika e Kosovës do të prezantojë e diskutojë me BE-në mbi fushat dhe projektet prioritare në agjendën tonë të reformave, thuhet në njoftimin për media.

Delegacioni i Kosovës përbëhet edhe nga ministri i Financave Hekuran Murati, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.

Ndryshe, më 8 nëntor 2023, Komisioni Evropian miratoi planin e rritjes ekonomike, për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027, ku do të ndahen 6 miliardë euro për Ballkanin Perëndimor.

Sipas planit, nga kjo shumë deri në 2 miliardë eurosh do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.

Plani është i bazuar në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së, forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal, përshpejtimi i reformave thelbësore, rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.

Për ta promovuar këtë plan, edhe përpara miratimit të tij, presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, kishte udhëtuar para një jave në vendet e rajonit.

Dokumenti shpalos planet sesi të ndihmohen vendet e Ballkanit Perëndimor që të arrihet një përafrim në zhvillimin ekonomik me BE-në e kështu, të bëhen gati më shpejt për t’u anëtarësuar në bllok.

Në procesin e zgjerimit, Komisioni Evropian bën vlerësime dhe jep rekomandime, ndërkaq vendimet formale miratohen në Këshillin Evropian nga liderët e vendeve anëtare që vendosin me unanimitet.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024