Petritsch: Druhem se përparimi në dialogun Kosovë-Serbi nuk do të jetë i shpejtë
Lajme
Lexohet për: 3 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ish-emisari evropian për Kosovën dhe diplomati austriak Wolfgang Petritsch thotë se në një situatë gjeopolitike të ndryshuar nga lufta në Ukrainë dhe Lindje të Mesme, Kosova dhe Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare që është angazhuar në Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada, duhet të rivlerësojnë realitetin për të lëvizur përpara.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Petritsch thotë se nuk pret përparim të shpejtë në të ardhmen e afërt në procesin e negociatave, por thotë se asociacioni i komunave serbe në Kosovë do t’i jepte Prishtinës më shumë kontroll mbi tërë territorin e saj dhe pret që pas zgjedhjeve në Serbi, Aleksandar Vuçiq do të duhet të bëjë të qartë orientimin e vendit të tij.

Bislimi informon Abbott mbi dialogun: Kosova vazhdon të mbetet konstruktive - KosovaPress

“Sa i përket anës së sigurisë, në rastin e NATO-s me KFOR-in (në Kosovë), edhe në Bosnjë në rastin e EURFOR-in, që gjithashtu është përforcuar, po reagohet shumë më shpejt dhe nuk po presim shumë gjatë (për të reaguar) si para 20-25 vitesh. Në anën e sigurisë me të vërtetë kemi një reagim të shpejtë. Megjithatë, në aspektin politik, sa u përket negociatave, druhem se nuk do të shohim ndonjë përparim gjatë vitit të ardhshëm, sepse kemi zgjedhje në Serbi më 17 dhjetor, pastaj vitin e ardhshëm zgjedhjet e Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian dhe në nëntor zgjedhjet presidenciale në SHBA”, tha ai.

Ai nuk pret ndonjë progres sa i përket zgjidhjes diplomatike për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

“Prandaj, mendoj se u mendua mirë që NATO-ja, KFOR-i, duhet përforcuar pasi nuk duhet lejuar të përsëriten ngjarjet si ato të para disa javëve”, tha diplomati austriak.

Maqedonci takon senatorët amerikanë: Dialogu, zgjidhja më e mirë për raportet Kosovë-Serbi - KosovaPress

“Ne duhet t’ua bëjmë të qartë akterëve kryesorë – presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti – se ata duhet të kontribuojnë në sigurinë e përgjithshme të Evropës dhe Bashkimit Evropian që tani është shumë e rrezikuar nga dy luftërat”, shtoi ai.

Sipas tij, asociacioni nuk do të jetë një Republikë Serbe, pasi bashkësia ndërkombëtare ka marrë mësim se një zgjidhje e tillë nuk i shkon për shtati një shteti, sikur në rastin e Bosnjës.

Lajçak flet për dialogun: Të dy palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka - KosovaPress

“Të jeni të sigurt se nuk do të ketë një Republikë Serbe në Kosovë. Por besoj se pakicat serbe në Kosovë duhet dhënë të drejta kulturore, disa aspekte ekonomike dhe të drejta të tjera në arsimim, shëndetësi. Duhet ta keni parasysh që aktualisht në Kosovë hynë shumë para, pa transparencë, nga Beogradi. Përmes një asociacioni të këtillë, këto para duhet të regjistrohen dhe të kalojnë nëpër (institucionet) e Prishtinës. Me krijimin e asociacionit, Prishtina do të fitojë më shumë të drejta të kontrollojë këtë pjesë të Kosovës, që natyrisht i takon shtetit. Por ekziston një pakicë dhe kjo pakicë duhet të ketë të drejta të caktuara”, tha ai.

Diplomati austriak shpreson se kah fundi i 2024 dhe fillimi i 2025 do të ketë një  lëvizje që çon drejt një normalizimi në Ballkanin Perëndimor.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024