Biden mirëpret marrëveshjen e shkëmbimit të burgosurve mes Izraelit e Hamasit
Bota
Lexohet për: 2 min.
7 muaj më parë
Linku u kopjua

Presidenti amerikan Joe Biden mirëpriti të mërkurën herët marrëveshjen për shkëmbimin e të burgosurve të arritur mes Izraelit dhe Hamasit.

“Si president, unë nuk kam prioritet më të madh sesa të garantoj sigurinë e amerikanëve të mbajtur peng në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse – që nga momentet më të hershme të sulmit brutal të Hamasit – ekipi im i sigurisë kombëtare dhe unë kemi punuar ngushtë me partnerët rajonalë për të bërë gjithçka që është e mundur për të siguruar lirimin e bashkëqytetarëve tanë”, thuhet në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë.

Biden falënderoi Sheikh Tamim bin Hamad Al-Thani të Katarit dhe presidentin Abdel-Fattah El-Sisi të Egjiptit për "udhëheqjen dhe partneritetin e tyre kritik" në arritjen e marrëveshjes.

“Është e rëndësishme që të gjitha aspektet e kësaj marrëveshjeje të zbatohen plotësisht,” shtoi ai.

Qeveria izraelite ra dakord për një marrëveshje për shkëmbimin e të burgosurve me grupin palestinez Hamas të mërkurën herët.

Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Katari, 50 izraelitë të mbajtur nga Hamasi do të lirohen në këmbim të 150 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite.

Ushtria izraelite pranon marrëveshjen e pengjeve, armëpushimin e përkohshëm me Hamasin - KosovaPress

Marrëveshja përfshin gjithashtu një pauzë katër-ditore në luftime dhe hyrjen e 300 kamionëve të ngarkuar me ndihma humanitare, përfshirë karburantin, në Rripin e Gazës.

Izraeli ka nisur sulme të pamëshirshme ajrore dhe tokësore në Rripin e Gazës pas sulmit të Hamasit.

Numri i të vdekurve palestinezë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14,128, thanë të martën nga Ministria e Shëndetësisë në enklavën e bllokuar.

“Viktimat përfshijnë mbi 5.840 fëmijë dhe 3.920 gra”, shtoi ministria në një deklaratë. Ndërkohë, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1200, sipas shifrave zyrtare. Mijëra ndërtesa, duke përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu nga sulmet ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar. /AA

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024