Rama takohet me Stoltenberg: Jemi mbledhur në një kohë të krizave që rrezikojnë rajonin
Ngjarjet Kryesore
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka udhëtuar për në Shkup për të marrë pjesë në takimin e liderëve të pesë vendeve anëtare të NATO-s nga Evropa-Juglindore.

Nga atje, Rama tha se takimi i liderëve ballkanikë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, po mbahet në një kohë të krizave dhe luftërave që, sipas tij, kanë mundësi ta rrezikojnë edhe rajonin ballkanik.

“Gjendemi në një moment kur këtu në rajon duhet të fokusohemi te mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur, që është jo pak, një paqe e brishtë e përgjithshme, por sidoqoftë një paqe dhe të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare dhe të qëndrueshme”, tha kryeministri shqiptar.

Në anën tjetër, Stoltenberg tha se gjatë takimit do të diskutohet për sigurinë e rajonit, por edhe për sfidat e tjera.

“Ne do të diskutojmë për sigurinë rajonale me liderët, por edhe të adresojmë sfidat me të cilat përballemi në këtë rajon, shohim më shumë gara globale, luftën në Ukrainë që vazhdon, por edhe luftën e re”, tha Stoltenberg.

Takimi i shefit të aleancës euro-atlantike me liderët e Ballkanit në Shkup vjen pas turit të tij në vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, ku qëndroi të hënën dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024