Kurti: Serbia së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit
Lajme
Lexohet për: 2 min.
8 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot përfaqësuesin e posaçëm të Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dritë e procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, zbatimit të Marrëveshjes Bazike, si dhe Aneksit të saj.

 Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministrin Kurti shprehu falënderimin e tij ndaj mbështetjes së vazhdueshme që Franca i ka dhënë Kosovës që para çlirimit e deri më sot, ndërkohë që e njoftoi me rezultatet e deritanishme të qeverisjes dhe progresin e shënuar në rrafshin demokratik dhe ekonomik të vendit.

Në lidhje me procesin e dialogut, kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive dhe e angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në këtë proces, dhe e njoftoi atë me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës në takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët evropianë. Ai ritheksoi rëndësinë e nënshkrimit të marrëveshjeve, sepse me nënshkrim normalizimi i marrëdhënieve fiton qëndrueshmëri dhe zbatimi fiton garanci.

Kurse, për sa i përket situatës së sigurisë, kryeministri rikujtoi kërcënimin e vazhdueshëm që Serbia paraqet për Kosovën. Ajo ka 48 baza të përparme operacionale përreth kufirit me Kosovën, dhe së fundmi ka dislokuar sisteme kundër-ajrore në afërsi të kufirit. Sipas tij, mungesa e sanksionimit të Serbisë, rritë nivelin e kërcënimit në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim kryeministri Kurti ishte i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. Ndërkaq, emisari francez Troccaz po shoqërohej nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024