Stoltenberg: Sulmet në veri të papranueshme, mbështesim dialogun
Lajme
Lexohet për: 2 min.
6 muaj më parë
Linku u kopjua

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, është i papranueshëm dhe po ashtu arsyeja pse KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë. Ai ka nënvizuar nevojën që përgjegjësit për këtë sulm dhe po ashtu sulmin ndaj 93 ushtarëve të KFOR-it, në maj të mbajnë përgjegjësi.

Stoltenberg gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, tha se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.

Në konferencën e përbashkët për medie me presidenten Osmani, Stoltenberg përmendi edhe marrëveshjen e vitit 2013 mes Kosovës dhe NATO-s, në bazë të së cilës Forca e Sigurisë e Kosovës nuk duhet të vendoset në veriun e banuar me shumicë serbe të Kosovës, pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Ai madje tha se presin konsultim paraprak edhe për çdo veprim të policisë në veri.

Megjithatë, ai tha se NATO nuk është një institucion ligjzbatues dhe se një gjë e tillë i takon Policisë së Kosovës dhe EULEX.

Ndërkaq nënvizoi mbështetjen për dialogun Kosovë-Serbi.

I pyetur për anëtarësimin e Kosovës në partneritetin për paqe të NATO-s, ai tha se kjo gjë është diskutuar, mirëpo kërkon vendim unanim nga të gjithë aleatët.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024