Mes tensioneve, Kuvendi në Shqipëri miraton në parim projektbuxhetin 7 miliardë euro
Rajoni
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Mes tensioneve, Kuvendi miratoi të hënën në parim me 73 vota projektbuxhetin për vitin 2024, i cili synon një rritje ekonomike të qëndrueshme, shpërndarje të mirëqenies për qytetarët, mbështetjen e punësimit cilësor dhe mbrojtjen e kategorive sociale, duke vijuar në të njëjtën kohë konsolidimin e mëtejshëm fiskal.

Projektbuxheti 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara dhe në të njëjtën kohë projekton uljen e borxhit publik, pa u shoqëruar nga masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin tek mirëadministrimi fiskal.

Në skenarin bazë për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike parashikohet 3.8% dhe një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.

Të ardhurat buxhetore, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022, shkruan ATSh.

Kjo rritje, sipas Minstrisë së Financave dhe Ekonomisë, bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.

Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj.

Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.

Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2023. Shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2024 shkon për financimin e projekteve në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11 miliardë lekë, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 16.6 miliardë lekë. Gjithashtu, vijon financimi i rindërtimit me 7 miliardë lekë, duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë e rialokimeve me qëllim përshpejtimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin te mirëadministrimi.

Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë projektligji më i rëndësishëm financiar në vend kaloi pa debate, për shkak të kaosit të krijuar nga deputetë të opozitës, të cilët prej disa javësh po bllokojnë vijimin normal të seancave të Kuvendit.

Pas miratimit në parim, projektbuxheti do të kthehet për diskutime nen për ne në komisionet parlamentare dhe më pas miratohet në seancë plenare.

https://kosovapress.com/admin/zjarr-e-tymuese-ne-seancen-plenare-per-projektbuxhetin-ne-shqiperi/
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024