Antibiotikët pa recetë, qytetarët: Më dobi na bëjnë ata, se kur na i përshkruan mjeku
Tema
Lexohet për: 4 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Pavarësisht se blerja e antibiotikëve pa përshkrim të mjekut është e ndaluar, qytetarët vazhdojën të kërkojnë nëpër barnatore “Amoxicillin” e lloje të tjera të tyre. Ata thonë se ‘nuk kanë kohë” të shkojnë te mjeku për vizitë, por drejtohen në farmaci për t’i blerë ato.

Përdorimi i barnave pa rekomandim të mjekut, vlerësohet se shkakton dëme të shumta në organizëm. Për kundër kësaj, në disa barnatore mund të blesh antibiotikë vetëm duke iu treguar një fotografi të ilaçit apo duke e shqiptuar emrin e tij.

Në Ditën Evropiane të Vetëdijesimit për Antibiotikë, për KosovaPress, specialistja e mjekësisë familjare në QKMF, Nesrije Paçarada tregoi se marrja e antibiotikëve në mënyrë jo adekuate mund të shkaktojë dhimbje barku, vjellje, kruajtje, alergji, zënie të frymëmarrjes dhe dëme të tjera.

Ajo potencoi se nga rreth 60 pacientë sa vizitohen tek ajo brenda ditës, afro 10 prej tyre kanë nevojë për t’iu përshkuar antibiotikë.

Paçarada shtoi se ndonjëherë për shkak të kohës së kufizuar për ekzaminim të detajuar nga vetë doktorët dhe kërkesa e pacientëve që të trajtohen me ilaç të tillë, ndikon në përdorimin e tyre më të shpeshtë dhe më të pa kontrolluar.

Specialistja e mjekësisë familjare, Nesrije Paçarada thotë se antibiotikët nuk janë të domosdoshëm të përdoren në çdo rast, derisa potencoi se pacientët mund të trajtohen kur kanë infeksione të rënda, sikurse janë ato në mushkëri, organe të tretjes, veshkave e të tjera.

Ndërkaq, qytetarët shprehen se blejnë antibiotikë nëpër barnatore edhe pa recetë të mjekut, madje thonë se “më mirë” po iu bëjnë ato që po ua rekomandojnë farmacistët se ato që po ua përshkruajnë  mjekët.

Qytetari Bajram Demaj thotë se të paktën një herë në muaj e blen një antibiotik në barnatore pa përshkrim të mjekut. Ai potencoi se ndonjëherë barnatoret hezitojnë t’ia japin pa recetë, por shumicën e rasteve nuk ka vështirësi në këtë aspekt.

Edhe Nazmi Abdullahu thotë se ka blerë antibiotikë e barna të tjera pa përshkrim të mjekut, derisa potencoi se më të dobishme janë ato që u sugjerohen në barnatore, sesa kur përshkruhen nga vetë mjekët.

Për të konfirmuar këtë, ekipi i KosovaPress ka kërkuar në disa barnatore për të blerë antibiotikun “Levofloxacin 500 mg” pa përshkrim të mjekut, të njëjtit u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së tyre.

Ndërsa, farmacisti në një barnatore tjetër, Arbnor Alidema, thotë për KosovaPress se pacientët janë vetëdijesuar dhe më nuk po kërkojnë antibiotikë pa përshkrim të mjekut.  Ai shtoi se pacientët me kërkesa të tilla janë shumë të rrallë, dhe të njëjtëve iu refuzohet nga kjo barnatore për t’u ofruar një gjë të tillë.

Lajmi i plotë është në sistemin me parapagim.

Sipas tij, farmacistët kanë të drejtë vetëm t’i ekzekutojnë recetat dhe jo t’i përshkruajnë ato.

Fjala “antibiotik” do të thotë “kundër jetës” dhe në rastin specifik të mjekimit, funksioni që kryen është vrasja e baktereve që përbëjnë dhe përhapin infeksionin në organizëm.

Ndryshe, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) bashkë me autoritetet shëndetësore të të gjitha vendeve evropiane, ka iniciuar nismën Dita Evropiane e Vetëdijesimit për Antibiotikët, që shënohet çdo vit më datën 18 nëntor.

Kjo nismë u shënua disa herë në Kosovë, por jo edhe në këtë vit. /Z.Zeneli/

Vendoset kujdestari për barnatoret në Prishtinë dhe gjoba për mos respektimin e orarit - KosovaPress

​Listat e pritjes dhe mungesa e barnave, ankesat ndaj bordit të SHSKUK-së - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024