Procesi i evakuimit nga kompleksi spitalor Al-Shifa fillon pas afatit një-orësh të ushtrisë izraelite
Bota
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Pacientët, stafi mjekësor dhe civilët që kërkojnë strehim në kompleksin spitalor Al-Shifa në Gaza filluan evakuimin nga spitali të shtunën pas një afati prej një ore të vendosur nga ushtria izraelite, sipas drejtorit të institucionit.

“Por, rreth 120 pacientë që nuk janë në gjendje të ecin do të qëndrojnë në spital për shkak të lëndimeve të tyre, ndërsa pesë anëtarë të stafit mjekësor do të kujdesen për ta”, tha Muhammad Abu Salmiya për Anadolu.

Ai shtoi se spitali Al-Shifa po koordinohet me OKB-në dhe se këta pacientë gjithashtu do të evakuohen më vonë pasi të jenë përfunduar aranzhimet e nevojshme.

“Tridhjetë foshnja të lindura para kohe janë gjithashtu në spital”, tha drejtori, i cili vuri në dukje se autoritetet e spitalit po koordinohen gjithashtu me Kryqin e Kuq për të siguruar largimin e tyre.

Ushtria izraelite thotë se do të shkojë kudo ku gjendet Hamasi - KosovaPress

Abu Salmiya tha gjithashtu se trupat izraelite kishin shkatërruar stacionet e oksigjenit të spitalit Al-Shifa, linjat e ujit dhe farmacitë.

Nga ana e saj, ushtria izraelite pretendoi në një deklaratë se "nuk kërkoi evakuimin e pacientëve dhe personelit mjekësor", por se "iu përgjigj kërkesës së drejtorit të spitalit për të lejuar Gazanët e zhvendosur të shkonin në jug përmes një rrugë e siguruar”.

Një burim mjekësor palestinez i tha Anadolu më herët të shtunën se ushtria izraelite i kishte dhënë administratës në Spitalin Al-Shifa një orë afat për të evakuuar spitalin nga pacientët, personat e zhvendosur dhe stafin mjekësor.

Burimi shtoi se ushtria "vazhdon të rrethojë spitalin", ndërsa "operacionet e kërkimit dhe gërmimit brenda spitalit" ishin gjithashtu në vazhdim.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha në një deklaratë se "asnjë furnizim me ushqim apo ujë nuk ka hyrë në Spitalin Al-Shifa në tetë ditë", duke konfirmuar se 51 pacientë kanë vdekur deri më tani që nga fillimi i sulmit izraelit në objekt, duke përfshirë katër foshnja të lindura para kohe.

Ministria tha se Al-Shifa "është plotësisht e izoluar nga bota për shkak të humbjes së komunikimit". /AA

Erdogan dhe Scholz në Berlin diskutuan mbi luftën në Gaza - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024