Paralajmërimi i Zelenskyt për luftë në Ballkan, ekspertët: Rikonfirmim i ambicieve të Rusisë
Video
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Deklaratat e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky se Rusia po përpiqet të nisë një luftë në Ballkan, po konsiderohet si diçka jo e re, por me rrezik potencial. Ekspertë të sigurisë thonë se kjo situatë qëndron për shkak të politikës hegjemoniste serbe, e cila bëhet me qëllim të nxitjes së luftërave të reja dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga Ukraina. Ndërkaq, potencojnë se përveç Kosovës, si vende të rrezikuara janë Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Lidhur me këtë deklaratë, në një intervistë për KosovaPress, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi tha se zgjedhjet në Moldavi që pritet të mbështeten në propagandën ruse, mund të çojnë në zgjerim të konfliktit.

Ibishi shtoi se situata në Kosovë është stabile, porse sipas tij, duhet pasur shumë vëmendje, që kjo situatë mund të tensionohet nga siç e quan ai, ‘aleati’.

Po ashtu, edhe hulumtuesi i lartë nga Octopus, Taulant Elshani tha se deklarata e Zelenskyt është një rikonfirmim i analistëve ndërkombëtarë, të cilët thonë se ‘Rusia është e interesuar ta hapë një front të dytë në Ballkan’.

Elshani shtoi se kjo mund të jetë një ide e konfirmuar e ambicieve dhe dëshirave të Rusisë, por sipas tij, si taktikë dhe si vendim mund të jetë diçka e re, derisa potencon fjalët e Zelenskyt ‘se ka informacione të sigurta që sigurojnë një gjë të tillë’.

Ndër të tjera, Elshani tha se përveç Kosovës, vende të tjera me potencial rreziku nga kjo situatë janë edhe Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi.

Sa i përket kësaj, njëjtë mendon edhe eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi.

Ndryshe, në një konferencë për gazetarët afrikanë, presidenti Zelensky tha se “Rusia po përpiqet të nisë një luftë në Ballkan”. Ai apeloi BE-në që ta kthejë vëmendjen nga Ballkani. Zelensky theksoi  se “Rusia ka një plan të gjatë”, derisa shton se pas Lindjes së Mesme, shpërqendrimi i dytë do të jetë Ballkani./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024