​Përfundojnë diskutimet në Bruksel pa një takim trepalësh
Lajme
Lexohet për: 4 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar sot takime në Bruksel për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve paraprake, të arritura mes dy vendeve.

Emisari evropian për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak, është takuar fillimisht me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, njëherësh shef i së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e më pas me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin, zëvendëskryeministrin e vendit.

Takim trepalësh nuk ka pasur. BE-ja ka bërë të ditur se paralelisht janë zhvilluar edhe takime ekspertësh për të pagjeturit dhe për çështje të energjisë.

Bislimi ka thënë të mërkurën se takimi i 16 nëntorit është vazhdimësi e takimit të zhvilluar më 26 tetor me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe bllokut evropian.

Petkoviq ka thënë ditë më parë se në Bruksel do të niset me një “ekip ekspertësh”.

Sipas burimeve evropiane, në agjendë të takimeve ka qenë diskutimi për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por edhe për hapat tjerë në zbatimin e obligimeve që dalin prej Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.

Dialogu Kosovë-Serbi, Bislimi udhëtoi për në Bruksel - KosovaPress

Megjithatë, në takimin e së enjtes, sipas burimeve të BE-së, prioritet kryesor do të ketë Asociacioni.

Drafti për këtë Asociacion u është dorëzuar palëve në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.

Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.

Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake.

Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.

Çka mund të përfitojë Kosova në këmbim të themelimit të Asociacionit ? - KosovaPress

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim. Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim”.

Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar. /REL

Krasniqi-Kurtit: O trim si me nënshkrim si pa nënshkrim ti ke bërë pranim - KosovaPress

Woelk: S’ka normalizim pa njohje nga Serbia, të ndërrohen ndërmjetësuesit e dialogut - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024