Mosdekretimi i Isufajt, opozita e paunifikuar për dërgimin e Osmanit në Kushtetuese
Tema
Lexohet për: 4 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Tri partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani, për të mosdekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit, të propozuar nga Këshilli Prokurorial. Kur kanë mbetur edhe dy ditë afat që deputetët e Kuvendit të Kosovës të kontestojnë këtë vendim të të parës së shtetit në kushtetuese, PDK-ja së bashku me AAK-në kanë mbledhur 25 nënshkrime nga 30 sosh sa janë të nevojshme, mirëpo atyre ende nuk iu janë bashkuar kolegët e tyre opozitar nga LDK-ja. Në PDK dhe AAK thonë se kanë përgatitur dosjen për dërgim në Kushtetuese të Osmanit, e cila sipas tyre ka bërë shkelje serioze kushtetuese që i rrezikon edhe mandatin asaj. Ndërkaq, potencojnë se hezitimi i LDK-së për të dhënë nënshkrimet e dëmton unifikimin opozitarë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë për KosovaPress se dërgimi i presidentes Osmani në Kushtetuese nuk do të duhej të dështonte, pasi, sipas tij ajo ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës me rastin e mosdekretimit për kryeprokuror të Blerim Isufajt.

Ai thotë se i ka dërguar një kërkesë kolegut të tij nga LDK-ja, Arben Gashi për dhënie të nënshkrimeve për një gjë të tillë, mirëpo i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.

Përgjigje pozitive kërkesës së PDK-së për dhënie të nënshkrimeve kanë bërë deputetët e AAK-së.

Deputeti Pal Lekaj thotë se presidentja Osmani duhet të dërgohet në Kushtetuese, derisa u shpreh i habitur se pse deputetët e LDK-së nuk po i japin nënshkrimet për një gjë të tillë.

KosovaPress ka kontaktuar edhe me shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, mirëpo i njëjti nuk pranoi të përgjigjet për këtë çështje.

Mirëpo deputeti Driton Selmanaj, në seancën e Kuvendit të Kosovës më 19 tetor ka thënë se vendimi për mosdekretim të Isufajt për kryeprokuror është antikushtetues.

Në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, thotë se presidentja Osmani ka bërë shkelje serioze të Kushtetutës me vendimin e saj për të mosdekretuar Isufajn për kryeprokruor.

Ai thekson se ky vendim përbënë një precedent shumë të rrezikshëm të komunikimit tani e tutje të politikës dhe drejtësisë.

Tahiri shton se si mundësi për të dërguar rastin në Gjykatën Kushtetuese është edhe nga ana e Avokatit të Popullit, mirëpo i njëjti mund të bëjë vetëm nëse dekreti është në përputhshmëri me kushtetutën, jo nëse presidentja ka bërë shkelje serioze kushtetuese.

Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.

Deputetët e Kuvendit në bazë të Kushtetutës kanë mundësi të apelojnë një vendim të presidentit në Gjykatën Kushtetuese përmes sigurimit të 30 nënshkrimeve, mirëpo kanë afat vetëm 31 ditë pas atij vendimi.

Më 17 tetor, presidentja Vjosa Osmani ka bërë të ditur se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit për shkak siç ka  thënë shkeljeve të shumta ligjore.

Megjithatë, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) më 1 nëntor ka dorëzuar sërish në Presidencë emrin e Blerim Isufajt, për dekretim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit./E.Zeqiri/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024