KQZ: Kuvendi zgjedhor i Listës Serbe në përputhje me Rregulloren
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka monitoruar Kuvendin Zgjedhor të Listës Serbe, i cili është mbajtur më 24 tetor 2023.

Sipas Zyrës për Regjistrim të Partive Politike, e cila funksionon në kuadër të KQZ-së, pas monitorimit të Kuvendit dhe pas shqyrtimit të dokumenteve të pranuara nga Lista Serbe, rezulton se zgjedhja e kryetarit, kryesisë dhe nënkryetarëve është në përputhje me Rregulloren për Regjistrimin dhe Funksionimin e Partive Politike dhe statutin e kësaj partie.

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Besnik Buzhala tha se gjatë monitorimit të këtij procesi është konstatuar se gjithçka ka shkuar në përputhje me Rregulloren  numër 1/2023 të regjistrimit dhe funksionimit të partive politike.

Lidhur me këtë, anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi tha se ka parë disa detaje që nuk janë të përfshira në raport. Ai tha se sipas neneve 17,  18, dhe 18 flitet për përgjegjësinë e anëtarëve dhe nënkryetarëve të kryesisë, derisa i bëri pyetje Buzhalës nëse është caktuar ndonjë masë ndaj këtyre anëtarëve që sipas tij kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist.

Tutje, Kurteshi potencoi se kryetari i partisë zgjidhet sipas rregullave me votim të fshehtë, ‘mandej thotë se kuvendi mund të vendos që zgjedhja të bëhet me votim të hapur’.

Lidhur me të gjitha këto, Buzhala u përgjigj duke thënë se “asnjëra nga këto nuk janë”, derisa shtoi se nuk i kanë vërejtur këto.

Sipas tij në mbajtjen e kuvendit zgjedhor ka pasur shumë gazetarë, dhe kanë qenë të vendosur në pjesën e fundit të hapësirës, derisa cek se kjo ka mundur të pengojë monitorimin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024