Riparohet ura tek Mulliri i Vjetër në Valbonë
Turizem
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ura tek Mulliri i Vjetër në Valbonë, Tropojë, u riparua nga ekipi i shërbimeve publike të bashkisë, pas dëmtimit që pësoi nga reshjet e ditëve të fundit.

Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi tha se “kjo urë është një destinacion turistik i rëndësishëm për turistë vendas dhe të huaj”, shkruan rtsh, transmeton KosovaPress.

Byberi shprehu mirënjohje për ekipin e shërbimeve publike për përkushtimin e tyre të palodhur dhe për punën në shërbim të komunitetit dhe turizmit lokal në çdo kohë.

Mulliri i Bajram Currit është monument kulture i kategorisë së parë, daton në fundin e viteve 1800 në fshatin Shoshan, Tropojë. Çdo vit, ky monument tërheq një numër të konsiderueshëm vizitorësh nga vendi dhe bota.

Ky atraksion është edhe takimi i fundit me lumin e Valbonës, pasi lumi fshihet përgjatë luginës për rreth 25 km, duke u shfaqur sërish pikërisht në këtë lartësi të Mullirit të Vjetër, para se të vazhdojë më poshtë përgjatë fshatit të Dragobisë e duke formuar Kanionin e Shoshanit më poshtë.

Këtë mulli ia vlen ta vizitosh për faktin e thjeshtë se rrethohet nga bukuri magjepsëse dhe panoramike, pasi fatkeqësisht, e ka humbur funksionalitetin e tij në ditët e sotme.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024