Gazeta italiane: Shqipëria në rrugën e duhur për një rekord të ri turistik më 2024
Turizem
Lexohet për: 3 min.
4 muaj më parë
Linku u kopjua

Pasi arriti një numër rekord të turistëve në 2023, Shqipëria është në rrugën e duhur për të rrëmbyer edhe titullin e “Mbretëreshës së Turizmit 2024”, shkruan gazetarja Marisa Ingrosso në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “La Gazzetta del Mezzogiorno”.

Sipas presidentit të Unionit Shqiptar të Turizmit, Rrahman Kasa, operatorët raportuan një rritje prej 35% të kontratave të garantuara për turizmin e organizuar për vitin e ardhshëm, përcjell atsh.

“Në Sarandë, qyteti jugor i Shqipërisë dhe një destinacion i preferuar për bashkatdhetarët tanë, disa objekte tashmë janë plotësisht të rezervuara për gushtin. Edhe në Vlorë, jam i sigurt se në 2-3 muaj do të kemi një pjesë të mirë të akomodimeve të rezervuara”, tha Lorenzo Lonoce nga Pulia, i cili ka krijuar operatorin turistik më të madh shqiptar të specializuar për turistët italianë.

Ka shumë faktorë që përcaktojnë suksesin e një destinacioni. Një prej tyre është sigurisht aksesueshmëria e lehtë.

“Nëpërmjet “Air Albania”, “Ita”, “WizzAir” dhe gjithashtu “Ryan Air” distanca Itali-Shqipëri është shkurtuar”, tha Lonoce.

“Po shfaqen shumë operatorë turistikë që nuk e kishin menduar kurrë Shqipërinë si nje destinacion turistik në rritje. Pritet një verë dhe një pranverë më e populluar. Për të mos thënë që tani po krijohet edhe binjakëzimi kulturor me qytetet”, shtoi ai, transmeton KosovaPress.

“Çmimet e vendosura këtë vit në kontratat e garancisë për sezonin e ardhshëm kanë shënuar një rritje drastike që varion nga 15 në 25%” dhe kjo do të jetë si pasojë e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe rritjes së kostove”, tha Kasa.

Sipas ekspertit, në tetë muajt e parë të këtij viti, italianët ishin grupi i dytë më i madh i turistëve, menjëherë pas shqiptarëve nga Kosova.

Sipas Ministrisë së Turizmit në Shqipëri, vendi është vizituar nga 660 000 italianë nga gjithsej 9 milionë shtetas të huaj.

Së fundi, një tjetër faktor i suksesit të turizmit shqiptar është planifikimi.

Qeveria e drejtuar nga Edi Rama sapo ka nënshkruar një marrëveshje me “ITB Berlin”, panairin më të madh të turizmit në botë.

Shqipëria do të jetë zyrtarisht vendi i nderit për vitin 2025. Dhe programi i promovimit fillon në mars 2024 dhe përfundon në mars 2025.

Shqipëria do të jetë gjithashtu organizatore e takimit të 70-të të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet në pranverë në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të Turizmit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024