PSD e zë në befasi Bislimin: A po ju vjen marre që e keni pranuar ‘Zajednicën’?
Lajme
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Aktivistë të Partisë Socialdemokrate (PSD) e kanë zënë në befasi zëvendëskryeministrin e parë të Kosovës Besnik Bislimi.

Njëri nga aktivistët e kanë pyetur Bislimin se a po i vjen turp që Qeveria e Kosovës e ka pranuar themelimin e asociacionit.

“A po ju vjen marre që e keni pranuar “Zajednicën”. A ke premtuar që do të japësh dorëheqje nëse bëhet “Zajednica”. Pse nuk je duke dhënë dorëheqje?”, ka thënë aktivisti Frashër Krasniqi.

Bislimi nga ana e tij e ka shmangur të gjithë situatën e papritur që ka ndodhur në një qendër tregtare dhe nuk është përgjigjur për asnjë moment në pyetjet e aktivistit të PSD-së.

Ndryshe, Bislimi kohë më parë kishte deklaruar se “në atë moment kur Qeveria e Kosovës e ndryshon qëndrimin për asociacionin dhe thotë se “do të krijohet asociacioni”, qoftë edhe me kompetenca jo ekzekutive, Besnik Bislimi nuk është më në dialog”.

Kryeministri Albin Kurti, pas takimit në Bruksel me 26 tetor, ka thënë se ka qenë i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe një draft të diplomatëve euro-amerikanë për asociacionin, por Beogradi zyrtar nuk ka qenë i interesuar për një gjë të tillë.

Ai kishte deklaruar se diplomatët perëndimorë e kanë siguruar më 21 tetor se një propozim për formim të asociacionit është shkruar me kujdes dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024