Pse mbahen sekret pagat e futbollistëve në Kosovë? Flasin analistët
Tema
Lexohet për: 2 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Mund të dimë në detaje për kontratat dhe pagat e yjeve botëror të futbollit si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo e të tjerë, por jo edhe për futbollistët e Superligës së Kosovës.

Kjo për arsye se as lojtarët e as klubet e tyre me të cilat nënshkruajnë kontrata nuk preferojnë që të shpalosin detaje mbi lartësinë ose mënyrën e pagesës.

Megjithatë, siç thotë për KosovaPress ish-Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, mbajtja sekrete e pagës nuk përbën asnjë shkelje ligjore, madje as në normativën ligjore të FIFA-s.

Nga ana tjetër, analisti i futbollit Arsim Plepolli konsideron se paga është çështje private dhe është e drejtë e secilit lojtar që ta mbajë atë sekrete. Sipas tij, ajo është një kontratë pune dhe nuk ka pse të bëhet publike.

Për analistin Arben Zeqiri, transparenca mbi kushtet e kontratave të lojtarëve është mëse e nevojshme. Ai thotë se edhe në këtë aspekt duhet të merren shembull klubet evropiane dhe funksionimi i tyre.

Madje, Zeqiri vlerëson se pagat e lojtarëve në Kosovë sot janë shumë më të larta se sa që ata e meritojnë për rendimentin që japin në fushën e lojës.

Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, vlerësohet se paga mesatare e futbollistëve në Superligën e Kosovës mund të jetë rreth 2000 euro në muaj.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024