​Për herë të parë në histori investitorët e huaj tërheqin para në masë nga Kina
Biznes
Lexohet për: 9 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Kina pati deficitin e parë të investimeve të huaja në histori, sipas të dhënave provizore për bilancin e pagesave për periudhën korrik-shtator të këtij viti. Një nga shpjegimet e këtij precedenti është ulja e ekspozimit të kompanive nga perëndimi në Kinë për shkak të tensioneve të shumta gjeopolitike.

Tregtia midis juanit të Kinës dhe dollarit amerikan brenda Kinës gjithashtu arriti në nivele rekord në tetor, sipas të dhënave zyrtare, si rezultat i përpjekjeve të autoriteteve kineze për të frenuar shitjen e juanit.

Këto ngjarje lidhen me pritjen e ndarjes graduale të dy ekonomive më të mëdha në botë, SHBA-së dhe Kinës, dhe hyrjen në një epokë të proteksionizmit ekonomik në rritje, në të cilën do të krijohen disa blloqe botërore të shteteve.

Ata do të investojnë dhe do të tregtojnë me njëri-tjetrin, në kontrast me modelin aktual botëror të zhvillimit ekonomik të globalizimit.

Detyrimet e investimeve direkte të bilancit të pagesave të Kinës ishin në “të kuqe” me 11.8 miliardë dollarë gjatë periudhës korrik-shtator, sipas të dhënave të përkohshme nga Administrata Shtetërore e Këmbimit të Valutave (SAFE).

Është një kategori e investimeve ndërkufitare në të cilat një investitor nga një vend i huaj ka një ndikim të madh në menaxhimin e një kompanie me bazë në një vend të caktuar, e cila ruan të dhënat e veta.

Një investitor mund të jetë një individ, një kompani private ose publike, një grup i lidhur individësh dhe kompanish nga një vend i huaj apo edhe vetë vendi.

Është periudha e parë tremujore që regjistron një deficit në detyrimet e investimeve direkte, që është pjesë e bilancit të pagesave të qeverisë, që kur Kina filloi mbledhjen e të dhënave në vitin 1998.

Ajo lidhet me përpjekjet e kompanive dhe investitorëve të huaj për të ulur rrezikun e ekspozimit ndaj Kinës, por është edhe rezultat i normave të ndryshme të interesit në Kinë krahasuar me SHBA-në dhe BE-në.

Rënia e theksuar filloi në periudhën prill-qershor 2022 dhe në të njëjtën periudhë të këtij viti, detyrimet për investime të huaja ranë në nivelet më të ulëta që nga fillimi i shekullit.

Detyrimet negative për investimet e huaja në periudhën korrik-shtator përfaqësojnë një dalje parash nga Kina, pra kompanitë e huaja, në vend që të investojnë në zgjerimin e biznesit në Kinë dhe investimet, i tërheqin fitimet në selitë jashtë Kinës.

Nga ana tjetër, të dhënat për minus detyrimet për investimet e huaja pasqyrojnë të paktën pjesërisht situatën diametralisht të kundërt makro-financiare në Kinë dhe në SHBA/BE. Ndërsa ekonomitë perëndimore po luftojnë me inflacion të lartë për të tretin vit (me sukses deri tani), Kina ka problemin e kundërt.

Që nga muaji i tretë i këtij viti, problemi i Kinës ka qenë deflacioni, problem i kundërt me inflacionin – mundësia e rënies së çmimeve të përgjithshme në ekonomi.

Në korrik, çmimet e konsumit ishin 0.3 për qind më të ulëta se në të njëjtin muaj të vitit 2022, që është një tregues i kërkesës së dobët dhe një ekonomie të ngadalësuar.

Përgjithësisht besohet dhe e vërtetojnë të dhënat historike se nuk është mirë për ekonominë as kur çmimet rriten shumë, as kur bien.

Deflacioni çon në shtyrjen e konsumit (në pritje të rënies së çmimeve), dhe kompanitë i përgjigjen rënies së çmimeve duke ulur prodhimin, sepse vetë ekzistenca e deflacionit sugjeron që njerëzit blejnë gjithnjë e më pak, prandaj duhet të prodhohet gjithnjë e më pak.

Shembujt më të këqij historikë të deflacionit janë Depresioni i Madh nga viti 1930 deri në 1933 dhe fillimi i krizës në 2008 dhe 2009. Ngjashëm me inflacionin, deflacioni i butë nuk është domosdo i keq, por është një sinjal shumë i rëndësishëm dhe është i rëndësishëm nga ku vjen. Nëse burimi i saj është mungesa e kërkesës, ekonomia mund të presë probleme.

Në “të kuqe” është edhe indeksi i çmimeve të prodhimit, që do të thotë se kompanitë prodhuese po i shesin prodhimet e tyre me çmime më të ulëta se vitin e kaluar dhe arsyeja është dobësimi i kërkesës nga jashtë.

Më saktësisht, për shkak të ngadalësimit ekonomik në BE dhe procesit të ndarjes tregtare të SHBA-së nga Kina, porositë për kompanitë kineze nga jashtë po dobësohen, për këtë arsye ato ulin çmimet e tyre.

Për shkak të problemit krejtësisht të kundërt që ka Kina nga SHBA-ja dhe BE-ja, Banka qendrore e Kinës është e detyruar të udhëheqë politikën e kundërt. Ndërsa Banka qendrore e SHBA, FED dhe Banka Qendrore Evropiane (ECB) rrisin normat e interesit referencë dhe ulin ofertën monetare, të cilat janë politika monetare për të luftuar inflacionin, Banka Popullore e Kinës ul normat e interesit dhe rrit ofertën monetare.

Qëllimi është, natyrisht, edhe i kundërt. Bankat qendrore të SHBA-së dhe BE-së po përpiqen të reduktojnë konsumin, investimet dhe punësimin për të frenuar inflacionin (gjë që po ia dalin deri tani), dhe banka qendrore e Kinës po përpiqet të stimulojë rritjen e konsumit dhe investimeve.

Norma referencë e interesit në Kinë është ulur nga 3.85 për qind në 3.45 për qind që nga fillimi i vitit 2022, ndërsa në SHBA është rritur nga 0.25 për qind në 5.5 për qind në të njëjtën periudhë dhe në BE nga 0 për qind në 4 e më shumë për qind.

Kompanitë e huaja në masë po njoftojnë një dalje graduale nga Kina

Në shtator, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Japonisë në Kinë anketoi 1.400 kompani anëtare në lidhje me kushtet ekonomike të Kinës dhe mjedisin e biznesit, me rezultate dërrmuese.

Një shumicë (57 për qind) priste që ekonomia e Kinës të përkeqësohej në tre muajt e fundit të këtij viti. 47 për qind thanë se po investojnë më pak ose aspak në Kinë këtë vit krahasuar me vitin 2022, duke përmendur shqetësimet e rrezikut, ngadalësimin e kërkesës dhe pasigurinë në rritje mbi rregulloret e reja të vendit.

Sipas një sondazhi të kryer në shtator nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, 40 për qind e kompanive në Kinë po ridrejtojnë ose planifikojnë të ridrejtojnë investimet që ishin planifikuar fillimisht për Kinën, kryesisht në Azinë Juglindore.

19 për qind e kompanive po mendojnë të zhvendosin disa nga operacionet e tyre aktuale jashtë Kinës brenda tre viteve të ardhshme, kryesisht për shkak të pasigurisë që rrethon marrëdhëniet SHBA-Kinë. Gjithashtu, 17 për qind e kompanive e renditën Kinën si vendin kryesor në planet globale të investimeve të kompanive të tyre, ndërsa në vitin 2021 kjo përqindje ishte 27 për qind.

Pothuajse dy të tretat e kompanive në një sondazh të Dhomës së Tregtisë së Bashkimit Evropian në Kinë thanë se biznesi është bërë më i vështirë këtë vit, që është një rritje prej 4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2022 dhe më e larta që nga fillimi i sondazhit.

11 për qind e të anketuarve thanë se kanë zhvendosur investimet nga Kina ose kanë marrë një vendim për ta bërë këtë, ndërsa 7 për qind e kompanive thanë se po e konsiderojnë atë.

Tendenca shqetësuese në ekonominë e Kinës

Në vetvete, rënia e detyrimeve të investimeve direkte nuk është shkak për alarm, megjithëse është një precedent historik që kur Kina u shndërrua nga një vend i mbyllur socialist një-partiak në një sistem ekonomik kapitalist një-partiak në vitet 1990.

Ky është vetëm një sinjal se kompanitë e huaja dhe investitorët individualë po nxjerrin fitime nga investimet e tyre në Kinë në vend që t'i riinvestonin. Arsyet mund të jenë edhe thjesht praktike financiare, siç është diferenca e lartpërmendur në normat e interesit.

Por problemi është se nuk ndodh veçmas, krahas lajmeve të tjera që janë pak a shumë pozitive. Krahas problemeve të lartpërmendura me deflacionin, Kina është pllakosur edhe nga problemet me krizën e pasurive të paluajtshme.

Lista e kompanive që punësojnë dhjetëra mijëra njerëz dhe që befas shpallin se nuk mund të kthejnë borxhet po rritet. Kompania më e re në atë seri është “Country Garden”, deri vonë kompania e dytë më e madhe e pasurive të paluajtshme në Kinë, e cila ka 70 mijë të punësuar.

Në muajin gusht zyrtarisht nuk publikohen të dhënat për punësimin e të rinjve, me shpjegimin se metodologjia për mbledhjen e këtyre të dhënave do të ndryshojë.

Borxhi i përgjithshëm, i cili përbëhet nga borxhi i qeverisë, borxhi i korporatave dhe borxhi i qytetarëve, arriti në nivelin 279.7 për qind të bruto prodhimit vendor. Kjo është më shumë se në SHBA dhe BE, me faktin se FMN-ja shprehet se autoritetet kineze nuk duan të japin disa nga të dhënat, ndaj ka mundësi që në realitet të jetë shumë më e lartë.

​Kina lansoi anijen kozmike Shenzhou-17 - KosovaPress

Biden thotë se SHBA do të mbrojë Filipinet nëse Kina sulmon - KosovaPress

​Pentagoni: Kina ka më shumë se 500 koka bërthamore operacionale - KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024