Ende pa përfunduar viti komunat grumbulluan të hyrat nga tatimi në pronë rreth 95 %
Intervista
Lexohet për: 3 min.
5 muaj më parë
Linku u kopjua

Komunat kanë shënuar rritje të të hyrave në pronë me miliona euro në krahasim me vitin e kaluar. Ndonëse nuk ka përfunduar ende ky vit, komunat kanë arritur që t’i grumbullojnë të hyrat nga tatimi në pronë në vlerë mbi 42 milionë euro, ose rreth 95 për qind të të hyrave, nga 44.5 milionë sa është e paraparë. Me ç’rast, edhe falja e cila është paraparë në Ligjin për Tatimin në Pronë, e që është në Gjykatë Kushtetuese, nuk ka nevojë të ndodhë.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Ibrahimi në një intervistë për KosovaPress, thekson se gatishmëria e qytetareve të paguajnë tatimin në pronë, ka qenë jashtëzakonisht e madhe.

Sipas tij, edhe pse janë hequr disa kushtëzime në këtë drejtim, nuk ka munguar gatishmëria e qytetarëve të paguajnë tatimin.

Sa i përket Ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët që aktualisht është në Gjykatë Kushtetuese, Ibrahimi tha se kjo falje nuk ka nevojë të ndodhë, pasi sipas tij, qytetarët po paguajnë edhe në këtë formë.

Sipas tij, kjo shumë pritet të tejkalohet. Siç thotë ai, me ardhjen e diasporës të hyrat nga tatimi do të ngritën.

“Qytetarët po tregojnë gatishmëri, komunat janë mobilizuar në plotni sa i përket grumbullimit të te hyrave vetanake nga tatimi në pronë dhe po shihet se suksesi është i jashtëzakonshëm. Pra, deri në fund të muajit tetor janë grumbulluar rreth 95 për qind, dhe tash e kemi edhe muajin nëntor dhe dhjetor, që d.m.th kjo për qindje do të ngritët. Këtë vlerësim po e jap në bazë të përvojave që kemi pasur të deritanishme me Komunat e Republikës së Kosovës, ku zakonisht diaspora gjatë ditëve të fundit kthehet në Republikën e Kosovës dhe bëjnë pagesën e tatimit në pronë, dhe për këtë arsyeje këto mjete në disa raste nuk mund të shpenzohen sepse ato barten në vitin e ardhshëm, sepse procedurat e tenderimit marrin shumë kohë në mënyrë që të shpenzohen të hyrat vetanake në këtë rast nga tatimi në pronë”, shton Ibrahimi.

Krahasim me vitin e kaluar, Ibrahimi thotë se të hyrat vetanake kanë shënuar rritje me miliona euro.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë zbatimin e nenit që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, duke vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë.

Po ashtu, në njoftimin e dërguar për media, bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që në rrethanat e rastit konkret, pezullimi i efekteve të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, mund të “eviton rreziqe apo dëme të pariparueshme”, që ndërlidhen me garancitë kushtetuese përkitazi me organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale si pasojë e ndërmarrjes së veprimeve nga pushteti lokal sipas përcaktimeve dhe afateve të saktësuara në nenin 5 të Ligjit të kontestuar.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024