Nxënës nga komunitetet trajnohen si të mbrohen nga informacionet e pasigurta
Edukimi Medial
Lexohet për: 5 min.
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Përmbajtjet “deep fake”, inteligjenca artificiale, lajmet e rreme e ato me qëllim keqdashës, po konsiderohet se janë trend në rritje, duke u bërë “armiq të përbetuar” të së vërtetës. Ndërkaq, çdo herë e më shumë rritet nevoja që të rinjtë të informohen rreth kësaj dukurie.

Kështu u tha në trajnimin e sotëm, ku mbi 20 nxënës bashkë me mësimdhënësit e tyre nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian e ai boshnjak, të shkollave të mesme në Pejë, janë trajnuar mbi edukimin mediatik.

Lidhur me këtë, djem dhe vajza të reja nga këto komunitete komentuan rëndësinë e këtij trajnimi, derisa u shprehën se kanë marrë informacione të dobishme për të krijuar mendim kritik rreth asaj se çka u servojnë mediat.

Nxënësi nga komuniteti egjiptian, Argjentin Elezaj, i cili vijon mësimet në klasën e 12-të të shkollës ekonomike “Ali Hadri”, thotë se gjatë trajnimit, përshtypje i bëri se si “deep fake” mund të arrijë që të manipulohet me fytyrën dhe zërin e dikujt. Ai shtoi se do të ketë mendim kritik tash e tutje rreth fotografive dhe videove që qarkullojnë në media.

“Përshtypje më kanë bërë që më kanë dhënë informata për keqinformimin, dezinformimin edhe për mashtrimin nëpër media… Mund të përdorim inteligjencën artificiale për shembull për të marrë zërin e dikujt dhe fytyrën e dikujt tjetër për të mashtruar të tjerët nëpër media… Informacionet që i morëm t’i shpërndajmë nëpër shoqëri… Atraktiv ishte pjesa e diskutimit në grup që e kemi bërë. U ndjeva mirë në grup dhe punuan shumë mirë… Këto informacione janë të dobishme për ne që të kemi mendim kritik, për fotografitë e videot qe i shohim në media”, tha Elezaj.

Ndërkaq, nxënësja e klasës së 12-të në Gjimnazin “Bedri Pejani” nga komuniteti boshnjak, Lejla Muriq u shpreh se i pëlqeu diskutimi në kuadër të trajnimit, duke ndarë shembuj të ndryshëm rreth dezinformatave.

Muriq potencoi se pas trajnimit mësoi se “jo gjithçka që shohim është e vërtetë”.

“Gjërat e reja që i mësuam rreth keqinformimit dhe dezinformimit. Gjithashtu, efekti i “deep fake” që e përmendëm, më bën të kem mendim kritik rreth asaj çka shohim. Më bëri përshtypje edhe diskutimi që u përfshimë të gjithë për të treguar rreth shembujve që kemi parë vetë…Gjatë trajnimit folëm edhe për inteligjencën artificiale, e cila është gjithmonë në rritje, ku pamë se gjithçka që shohim nuk është e vërtetë”, theksoi Muriq.

Edhe profesori i Elektronikës nga komuniteti boshnjak, Ramo Mahmutovic tha se nxënësit dhe mësimdhënësit nga radhët e komuniteteve, kanë nevojë për sa më shumë trajnime të tilla rreth trendit të informacioneve të rreme. Ai theksoi se të rinjtë sot janë shumë të ekspozuar ndaj informacioneve të gabueshme.

“Në trajnim kemi kaluar mirë. Përshtypjet janë shumë të mira. Përshtypja më e mirë është se zgjidhja e problemit të një informacioni apo informacioni i sigurt nga do të merret…Së bashku kemi komunikuar rreth dezinformatave mediatike që bëhen, keqinformata nga ana e tyre, keqinformimi i popullatës në përgjithësi, ndërrimi i opinionit e kështu me radhë… Sa i përket trajnimit, është shumë i qëlluar. Shpresojmë që në të ardhmen të kemi kësi lloj trajnimi, për shkak se rinia e sotme po kanë shumë informata të gabueshme”, potencoi Mahmutovic.

Menaxheri i këtij projekti, Fadil Miftari potencoi se qëllimi kryesor është vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve që të jenë të aftë për t’u mbrojtur nga informacionet e pasakta.

Ai shtoi se të rinjtë pjesëmarrës në këtë trajnim, ishin të ngazëllyer nga informacionet që morën se si t’u shmangen absorbimit të informacioneve të pasigurta.

“Në radhë të parë, qëllimi kryesor është vetëdijesimi i të rinjve, se çfarë janë dezinformomi, keqinformimi dhe mënyrat e dhënies dhe absorbimit të informacioneve të pasakta. Kjo në botën e sotme ekziston një mundësi jashtëzakonisht e madhe që mekanizma të ndryshëm të shpërndajnë informacione të pasakta. Qëllimi kryesor i kësaj iniciative ose projekti është vetëdijesimi dhe ndërgjegjësimi i të rinjve që të jenë të aftë të mbrohen nga dezinformimi… Ky diskutim i sotëm është i pari nga seria e dytë e trajnimeve. Seria e vitit të kaluar ishte e kësaj natyre. Diskutimi i sotëm m’u duk shumë përmbajtësor. Të rinjtë ndonëse shumica përdorin pajisje të digjitalizuar sot dhe i ekspozohen rrezikut të absorbimit të informacioneve të pasigurta dhe këtu e pashë që ishin të ngazëllyer pasi morën informacione të mjaftueshme se si të mbrohen dhe t’iu shmangen absorbimit të informacioneve të pasigurta”, tha Miftari.

Projekti “Edukimi mediatik kundër dezinformimit për komunitetet joshumicë në Kosovë”, mbështetet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë./Z.Zeneli/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024